Republika e Kosoves

Ferizaj

Asfaltohen rrugët e fshatit Komogllavë

2018/12/08 - 1:22

Këtë të shtunë është bërë asfaltimi i rrugëve në fshatin Komogllavë. Nga afër asfaltimin e këtyre rrugëve e ka përcjellur edhe numri një i qytetit të Ferizajt Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i infrastrukturës, Arbër Bytyqi si dhe bashkëpunëtore të tjerë.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se edhe në këtë zonë po investohet me projekte të rëndësishme infrastrukturore për t’i ofruar përfundimisht banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth infrastrukturën e munguar ndër vite.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, tha se banorët e këtij fshati e kanë vuajtur gjatë mungesën e investimeve infrastrukturore.

“Jemi në fshatin Komogllavë, ndërsa po bëjmë përfundimin e një projekti i cili është filluar muaj me parë, ku po bëhet asfaltimi i 20 rrugicave në këtë fshat, ndërsa bëhet fjalë për një projekt rreth 400 mijë euro”, është shprehur drejtori Bytyqi, përderisa ka shtuar se sot po përmbyllet pjesa e fundit e asfaltit në këtë fshat.

Edhe banorët e këtij lokaliteti e kanë mirëpritur asfaltimin e rrugëve të tyre. U bë e ditur se asfaltimi i rrugëve në fshatin Komogllavë është projekt tre vjeçare.