Republika e Kosoves

Ferizaj

Deri kur me shpifje asambleisti Svarqa?!

2020/11/27 - 2:40

Se “të thënat”, “akuzat” e deklarimet e ish Kryetarit Svarqa nuk janë asgjë më shumë sesa makineri shpifjesh si mjet për pak vëmendje publike, këtë fakt kaherë e njohin ndjekësit e akterët e rrjedhës politike lokale. Porse, me mosreagime ndaj këtyre shpifjeve dhe gënjeshtrave, për të fituar padrejtësisht gënjeshtra – këtë fakt nuk e meritojnë ferizajasit.

Madje, kjo metodë e të bërit politikë është shndërruar për fatin e keq, në aktivitet të përditshëm të tij, duke u investuar kështu vet ai në nxitës, krijues, publikues e shpërndarës të të pavërtetave të tij, rol ky aspak dinjitoz për një person që mëton të përfaqësoj qytetarët.

Sot, ish kryetari i Ferizajt, tash asambleisti e zëvendësministri Muharrem Svarqa, vijoi karvanin e gjatë të shpifjeve, duke i shtuar edhe një të re. Ai në profilin e tij rrjetin social “Facebook”, publikoi një artikull me nëntitullin “Lajm për shefin e zyrës së Kryetarit Aliu. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare për të mirën e përgjithshme”, ku aludoi në akuzë ndaj zyrtarit të protokollit të Zyrës së Kryetarit të Komunës, z. Afrim Matoshi.

Së pari, përveç emrit të njejtë me pjesëmarrësin e këtij procesi gjyqësor të paraqitur në këtë artikull të portalit Ferizaj24.info, asgjë nuk e lidh dhe në asnjë rresht të këtij artikulli nuk flitet për zyrtarin komunal, z. Afrim Matoshi.

Së dyti, ish kryetari e tash asambleisti i parë në korin e shpifjes, Muharrem Svarqa, ngatërroi pozitën e zyrtarit të aluduar të Komunës, duke mos e njohur faktin se zyrtari në fjalë ushtron detyrën e përgjegjësit të protokollit në Zyrën e Kryetarit të Komunës, ndërkaq është person tjetër, Udhëheqësi aktual i Kabinetit.

Së treti, i zënë në grackën e gënjeshtrës të prodhuar nga vet ai, ai paturpësisht fshin këtë publikim nga faqja e tij në rrjetin social “Facebook”, pa dhënë asnjë shpjegim as kërkimfaljen që do të duhej të ishte veprimi i duhur me këtë rast. Kaq për seriozitetin e “akuzës publike”.

Të jetë lajthitje e paqëllimshme? Vështirë të besohet!

Duke ndjekur me shqetësim këtë degradim të diskursit publik, rëndësinë përgjegjshmërisë së fjalës e deklarimit publik, vlerësuar vetëm këto pak elemente, pa u lëshuar në thellime të mëtejme, për gënjeshtrën e shpifjen sipërfaqësore, krejt të dukshme e lehtazi të argumentueshme, kërkojmë që në mbrojte të integritetit të institucionit të Komunës, në afat të shpejtë, ish Kryetari, tash asambleisti Svarqa, të kërkoj falje publike për këtë publikim, pa pasur nevojën e ndjekjes ligjore përmes padisë private nga vet i atakuari nga kjo shpifje.

Deri kur do të zgjas ky recitim shpifjesh e gënjeshtrash? Mbase, vetëm atëherë kur ligji të thotë fjalën e vet.