Republika e Kosoves

Ferizaj

Eprorë të LMT-së në takim lamtumirës me Xhemajlin

2010/07/08 - 12:00

Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli ka pritur në një takim lamtumirës, ekipin e KFOR-it amerikan që veproi në kuadër të Zyrës Ndërlidhëse dhe Monitoruse- LMT. Në këtë takim, kryetari Xhemajli ka falënderuar këtë ekip për bashkëpununimin e sinqertë që kanë pasur me udhëheqjen komunale dhe për projektet që kanë realizuar për të mirë të qytetarëve të Ferizajt.
" Së shpejti KFOR-i 12 do të zëvendësohet nga KFOR-i 13, dhe tashmë është bërë traditë që t’i përcjellim me një takim i shoqëruar me një kafe këtë ekip të LMT-së, si dhe të njihemi me eprorët e rinj dhe të bisedojmë rreth bashkëpunimit të mëtejmë. Unë u shprehu konsiderata për gjithë atë që kanë bërë, përveç për sigurinë edhe për projekte tjera me interes që janë jashtë këtij misioni" ka thënë Xhemajli, për të shtuar se raportet e tij me këtë ekip, përveç se kanë qenë zyrtare, kanë qenë edhe miqësore.
Ndërsa togeri Royan Kaufman, përgjegjës i kësaj zyre ka thënë para largimit ka thënë se misioni primar ka qenë sigurimi i paqes dhe qetësisë për qytetarët e Kosovës dhe një punë që është dashur bërë për të përballuar sfida, por relacionet që janë ngritur kanë qenë të shëndosha dhe miqësore.
"Faleminderit për mënyrën se si na ke pranuar si familje, ke qenë mikpritës për ne, falënderime për shoqërinë. KFOR-i do të vazhdojë një bashkëpunim edhe më tej" ka thënë togeri Kaufman. Ndërsa eprori Orlando Hernandez, i cili së shpejti do të merr përsegjësi të reja, vuri në dukje se bashkëpunimi me institucionet komunale do të vazhdojë edhe më tej.
Në fund të këtij takimi, eporë të KFOR-it amerikan dhe udhëheqës komunal të Ferizajt kanë shkëmbyer dhurata, për të cilat thanë se janë dëshmi e një bashkëpunimi të mirë që është zhvilluar gjatë periudhës 9 mujore.
Zyra e LMT-së vazhdon të jetë urë lidhëse mes komandantit të GSHB Lindje dhe pushtetit lokal dhe institucioneve relevante komunale.

Falënderime për punën e mirë dhe raportet miqësore