Republika e Kosoves

Ferizaj

Ferizaj përfiton nga norvegjezët, 30,000 grant për prodhimin dhe instalimin e tabelave të adresave të shtëpive

2019/07/16 - 1:55

Procesit të emërtimit të rrugëve në territorin e Ferizajt, do t’i shtohet edhe një komponentë mjaft e rëndësishme falë financimit prej 30,000 euro nga Autoriteti Norvegjez për Hartografi (Kartverket) dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës që për qëllim ka prodhimin dhe instalimin e tabelave të numrave të adresave të shtëpive përgjatë gjithë territorit të Ferizajt. Për t’ia kumtuar këtë lajm, sot në zyrën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ky i fundit, bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, drejtorin e Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, pritën Kryeshefin e Agjencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmeti me bashkëpunëtorë, me ç’rast edhe u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në bashkëpunimin rreth instalimit të tabelave të numrave të adresave të shtëpive në territorin e Komunës së Ferizajt.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo përkrahje është mëse e mirëseardhur për qeverisjen lokale, tash ku është gati në përfundim procesi i rikonceptuar për emërtimin e rrugëve dhe se autoritetet lokale kanë gatishmërinë e plotë që ta zbatojnë një nismë të tillë në dobi të përmbushjes së njërin nga kritereve mjaft të rëndësishme integruese, që është sistemi i adresave. Ai falënderoi miqtë norvegjez dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për mbështetjen në këtë pikë dhe përzgjedhjen e Ferizajt për të implementuar një projekt të tillë.

Në anën tjetër edhe mysafirët shprehën vlerësimin për gatishmërinë e qeverisjes lokale në zbatimin e këtij projekti që çon në unifikimin e sistemit të adresave në gjithë Republikën e Kosovës.

Komuna e Ferizajt ka marr të gjitha obligimet që rrjedhin nga ky memorandum i nënshkruar sot dhe së shpejti do të nis zbatimi në praktik i projeksioneve në kuadër të kësaj nisme.