Republika e Kosoves

Ferizaj

Ferizaj shënoi Ditën e Dëshmorëve të Kombit

2024/09/28 - 7:07

Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, familjarë të Dëshmorëve, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ish eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtues e përfaqësues nga organizatat e dalura nga lufta e UÇK-së, drejtues institucionesh shtetërore, u përkulën e nderuan me homazhe e buqeta lulesh, sakrificën sublime të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo datë lavdie, që paraqet edhe përvjetorin e 26-të të Epopesë së Jezercit, u shënua edhe me Akademi Përkujtimore, ku me fjalë të pranishmëve iu drejtua, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe Nënkryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, Shaban Rexhepi.
“Janë data si këto, që reflektojnë e shndrrisin, mbi triumfin tonë të lirisë, mbi shtigjet e përgjakshme që bashkë kaluam, për të kulmuar me fitore, krenari, pavarësi e shtetësi, me burim emblemën tonë të lirisë – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Rrezet e lirisë, sot e mbi dy dekada, përqafojnë Republikën. Kthetrat e robërisë, gjëma që mbante tëmbërthyer për shekuj shpirtin e gjithë kombit, iku përjetësisht. Kjo tokë, pati dalzotësit e saj, pati sypatremburit që në stuhinë e shfarosjes kombëtare që po kryente fashizmi serb në Kosovë, ishin ata emri i shpëtimit, ngadhnjimtarët e shpresës, emblema e lavdisë. Janë Dëshmorët e Kombit, emri, heroizmi e gjaku i secilit prej tyre, ajo që shkroi faqen e historisë sëfundshekullit XX për shqiptarët. Sot e sa të jetë jeta, liria e Kosovës, mishëron sakrificën e Dëshmorëve të Kombit – shembëlltyrën më të kristaltë të atdhedashurisë e flijimit. Kjo datë vjeshte e heronjve, dëshmorëve është pranvera jonë e lirisë. Dhembja e kujtimi, janë të pashlyeshme, po kaq sa krenaria, në zemrën e gjithë popullit që deshi lirinë, në shpirtin e nënave e baballarëve të dëshmorëve, fëmijëve që shtatin rritën pranë varreve me dhembjen e mungesën e më të dashurve të tyre. I rëndë sa shkëmbi është malli për dëshmorët e thellësa detërat është krenaria jonë. Ata na lanë pas, në frymën e freskët të lirisë, ata frymojnë kudo mes nesh, në emra rrugësh, sheshesh, shkollash, themelatash shtetërore, në vepra dijetarësh, libra shkollor, mbi të gjitha, në frymëzimin e çdoditshëm për ta lartësuar Republikën, për t’i dhënë vulën amanetit që na lanë.Kosova për shekuj, në duar kishte prangat e robërisë. Kosova për shekuj hapi varre dëshmorësh e martirësh. Breza të tërë mbyllën sytë, pa e parë lirinë e kësaj ane. I palëkundur mbeti flamuri ynë, shkaba dy krenare, edhe në erërat gjëmë-mëdha të fashizmit tëfundshekullit XX. Ora e lirisë po afronte. Kambanat e saj po zgjonin pakthyeshëm gjakun në dejtë e çdo shqiptari. Koha punonte për shqiptarët. Është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, çdo luftëtar i lirisë, pishtarë që ndriçoi me grykë arme, me gjak të njomë, me guxim të pamat e heroizma të pashembullt, rrugën tonë drejt lirisë. Ata prekën përjetësinë në universin gjithëkombëtar, për të qenë ndër breza frymëzimi ynë. Në këtë datë të lavdisë, kujtojmë betejat tona të lirisë. Kujtojmë 26 vjetorin e Epopesë së Jezercit – maleve, kodrave e luginave nga ku rrodhi gjaku i dëshmorëve, luftëtarëve të lirisë, për ta shndërruar këtë vend, këto troje, në lapidar përherë të gjallë që ushqen rrënjët tona të lirisë. Nga atje lartë, ushtoi pushka e lirisë, në krahët e djelmoshave e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ngritur në Epope, përpjekjen tonë për çlirim. Udhëkryqet e fatit tonë u ndeshën atje e kudo ku shkrepi pushka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të shkruar lavdiplote faqet e kronikës së historisë e ngadhnjimit në betejën tonë për çlirim. Nga Jezerci e në çdo skaj të Kosovës, u skalit trupi i Kosovës së çliruar, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovësnë ballë të saj.Sot jemi dëshmitarë të gjithë, të një përpjekje absurde, për ta rishkruar historinë me gjyqe, stisje, farse, po kaq të pakuptimta ndaj çlirimtarëve, etërve të lirisë, pavarësisë e shtetësisë së Kosovës, lavdisë që flet zëshëm me zemrën, mendjen e sytë e gjithsecilit prej nesh. Historinë e shkruan heroizmat, gjaku i derdhur për liri,e shkruan luginat, malet -dëshmitare të trimërisë. Beteja e fundit për lirinë, do të ngadhënjej për çlirimtarët dhe mbarë popullin, pa asnjë mëdyshje, si lufta jonë për çlirim. Ferizaj dhe mbarë Kosova, i dha lirisë më të shtrenjtit dëshmorë e martirë. Ferizaj njohu dhembjen e pikëllimin, por asnjëherëlotin e dorëzimin. Ferizaj sot bën krenarë gjithë Republikën, me ecjen e zhvillimin e tij” tha mes tjerash Kryetari Aliu.
Po kështu, për sakrificën sublime të Dëshmorëve të Kombit, në fjalën e tij, Shaban Rexhepi, nënkryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se vepra e sakrifica e Dëshmorëve, është themeli i lirisë.
Aktivitetet artistike të planifikuara për këtë datë, u anuluan, me rastin e ndarjes nga jeta të Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneralit të FSK-së, Imri Ilazi, që sot u nda nga jeta.