Republika e Kosovës
Republika e Kosoves

Ferizaj

I ri në moshë, i jashtëzakonshëm në përkushtimin e tij, i dalluar e i nderuar me titullin fetar, është ky i riu ferizajas, Hoxhë Egzon Ibrahimi, një nga më të mirët lexues të Librit të Shenjtë – Kur’anit në botë, fitues i vendit të dytë në Garat Ballkanike të Kur’anit në vitin 2009, ku mori pjesë si 15 vjeçar si dhe fitues i vendit të parë për leximin e Kur’anit në garat evropiane të vitit 2011 në Zagreb, pa lënë anash edhe talentin e tij të padiskutueshëm, në interpretimin e këngëve fetare, të dëgjuara nga miliona njerëz në gjithë globin.

2021/11/19 - 8:54

Hoxhë Egzoni, nisi rrugën e tij të dijes e besimit fare i ri në moshë, në Xhaminë e Madhe të Ferizajt me mësues Hoxhën e nderuar Shyqeri Efendi Tërshani, gjersa shkollimin fillor e përfundoi në shkollën “Gjon Serreçi” e të mesmen në Medresen Alaudin në Prishtinë, për të përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm studimet islame në Universitetin Al-Az’har në Kajro të Egjiptit. Hoxhë Egzoni, ka përfaqësuar dhe vazhdon ta bëj përfaqësimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në programe të ndryshme artistike e televizive për mbi 10 vite. Është pjesëmarrës në gara të ndryshme botërore të Leximit të Kur’anit si ajo e mbajtur në Iran më 2010, në Kuala Lampur, Malajzi më 2012, fitues i vendit të parë në garat euro-aziatike për këndim të ilahive (këngëve fetare) në Bursa të Turqisë, pjesëmarrës në garat botërore të mësimit përmendësh të tërë Kur’anit në Mekke më 2014, finalist i garave botërore të Kur’anit në Stamboll, Turqi më 2016, fitues i vendit të katërt në nivel botëror për lexim të Kur’anit në Kuvajt më 2017, i ftuar special për lexim të Kur’anit në Ankara, në Xhaminë e Presidentit Erdogan më 2018, udhëheqës i korit të këngëve fetare të Universitetit Al Az’har për katër vite, pjesëmarrës si këngëtar në Operën e Kajros në Festivalin e Paqes në mesin e qindra artistëve botëror, pjesëmarrës, lexues i Kur’anit, panelistë në shumë konferenca e ngjarje publike me karakter fetar që nga Egjipti, Pakistani, Kuvajti, gjer në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Pazar i Ri, Mal të Zi, për t’u dalluar me këngët e tij fetare, të shpërblyera e të dëgjuara nga miliona njerëz anembanë globit, vlera këto që bëjnë personalitetin e tij, një ferizajas të çmueshëm e të respektuar nga e gjithë shoqëria.