Republika e Kosoves

Ferizaj

Konfiskohen 55 metër kub në Ferizaj

2020/09/23 - 9:48

Vigjilenca e organeve të shtetit në mbrojtje të mjedisit, po dëshmohet dita-ditës, duke ndëshkuar dëmtuesit e pyjeve. Së fundmi, në një aksion të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, u konfiskuan 55 metër kub masë drusore, e cila po qarkullonte nga Komuna e Kaçanikut për shitje në Ferizaj. Kjo masë drusore ishte tërësisht pa dokumentet e nevojshme dhe si e tillë u konfiskua nga zyrtarët policor dhe komunal.
Derjtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, pas punës që bën zyrtarët e sektorit të Pylltarisë në drejtorinë e tij, tha se ky aksion dhe të ngjashme po zhvillohen dhe do të zhvillohen edhe në të ardhmen, me qëllim ndëshkimin e keqbërësve si dhe mbrojtjen e pyjeve në gjithë territorin e Ferizajt. Ai tha se bashkëveprimi me institucionet e sigurisë, Stacionin Policor në Ferizaj, për të cilën shpreh falënderim publik, dha rezultatet e duhura.
Bartjen e sasisë së konfiskuar të masës drusore e bënë punonjësit e KRM “Pastërtia”.
Bëhet e ditur se kjo sasi e masës drusore e konfiskuar do të trajtohet me procedurën e rregullt për t’ia ndarë familjeve skamnore në Ferizaj.