Republika e Kosoves

Ferizaj

Kryeministri Thaqi dhe ministri Hoxhaj takojnë mësimdhënësit Ferizajas

2010/06/23 - 12:00

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, duke i falënderuar mësimdhënësit, kryeministrin Thaqi dhe ministrin Hoxhaj ka thënë se cilësia e arsimit në Republikën e Kosovës është ngritur falë ngritjes së kapaciteteve fizike, siç është ndërtimi i shkollave, laboratorëve etj, si dhe ngritjen e programeve shkollore. “Mësimdhënës, që ne të vijmë këtu, ju vërtet keni bërë sakrificë përmes përkushtimit tuaj në arsim. Besoj që edhe përkushtimi i qeverisë që ju të keni kushte më të mira dhe  pagë më të mirë do të jep kontributin edhe në cilësinë që duhet ta kemi edhe më të lartë”, ka thënë Xhemaili.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi duke i përgëzuar mësimdhënësit për përmbylljen me sukses të këtij viti akademik ka thënë se këto takime tanimë janë tradicionale, për të vlerësuar punën e mësimdhënësve e në të njëjtën kohë edhe për të marrë energji të reja për veprimet e mëtutjeshme, për aspektin e reformave. “Dëshiroj të theksoj se edhe kjo darkë po shtrohet tani kur po shënojmë 11 vjetorin e lirisë së vendit tonë dhe më tepër se dy vite e gjysmë të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, kur kemi fituar 69 njohje ndërkombëtare të fuqishme për shtetin e Kosovës, kur shteti ynë është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe kur presim vetëm edhe një mbështetje që të jemi edhe pjesë e Bankës për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian”, ka thënë Thaqi duke shtuar se me padurim edhe politika, institucionet, partnerët, miqët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës presin shpalljen e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për statusin e Kosovës i cili pritet të dal me 22 korrik.
Thaqi gjatë kësaj vizite, garantoi dhe siguroi të gjithë qytetarët e Kosovës se pavarësisht nga opinioni i cili sipas tij do të jetë në përputhshmëri me vendimin e institucioneve të vendit tonë dhe me vullnetin e qytetarëve tanë për pavarësi, për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, njohje të reja, proces të dialogut për liberalizimin e vizave, proces të marrëdhënieve tregtare me BE-në, proces të asocim stabilizimit. “E në të njëjtën kohë do të kemi edhe një angazhim për definimin, kuptimin e mirëfilltë edhe juridik, legal të FSK-së, që të integrohet në mekanizmat euroatlantike”, ka thënë Thaqi, duke shtuar se pavarësisht nga opinioni i gjykatës, do të vazhdojnë të investojnë fuqishëm në sistemin e edukimit dhe se nuk do të kursejnë asgjë në këtë drejtim, sepse duke investuar në edukim po investojnë në të ardhmen e sigurt të shtetit të Kosovës, në krijimin e vendeve të reja të punës, në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve. “Tani Kosova qëndron në vendin e parë në rajon sa i përket sistemit të reformave në edukim. Por objektiv yni është që të arrijmë standardin perëndimor në edukim”, ka thënë Thaqi duke u zotuar para mësimdhënësit se për ta do të ketë edhe një rritje të fuqishme të pagave gjatë mandatit të tij.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka thënë se vetëm ata që janë mësimdhënës e dinë se sa është e vështirë mbajtja e një ore, e një dite dhe e një jave e mësimit, dhe se sa energji fizike, e shpenzim emocional është puna e mësimdhënësit. Hoxhaj me këtë rast, në emër të qeverisë dhe në emër të ministrisë ka falënderuar secilin mësimdhënës, për punën e madhe në vitin shkollor i cili ka përfunduar, punë kjo e cila edhe me testin e arritëshmërisë dhe atë të maturës, shihet si një sukses jo vetëm në Ferizaj por edhe përtej tij. “Jam shumë i nderuar që së bashku kemi filluar të ndërtojmë një sistem arsimor nga themelet. Dhe ju e dini që një kohë të gjatë ne kemi menduar shumë se çfarë sistemi arsimor duhet ta ketë Republika e Kosovës, një vend i vogël i cili ka 2 milion banorë, ekonomi në zhvillim dhe i cili është në vitin e tretë të shtetndërtimit. Ju së bashku me ne si qeveri kemi vendosur që ta ndërtojmë .
Edhe një  ngritje pagash u ka premtuar Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaqi mësimdhënësve në Ferizaj një darkë të shtuar për ta dhe për përmbylljen me sukses të këtij viti akademik.