Republika e Kosoves

Ferizaj

MAPL prezantoi Softuerin për komunikimin e zyrave për shërbim të qytetarëve me portalin ministror dhe qeveritar

2010/04/14 - 12:00

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal prezantoi projektin  “Platforma për integrimin  e zyrave për shërbim të qytetarëve me portalin Ministrisë dhe atë qeveritar për avancimin e shërbimeve komunale  CMS/CSC”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,  z. Sadri Ferati në fjalën ë tij hyrëse tha se "ky projekt është mjaft i rëndësishëm dhe shënon edhe një etapë të re të komunikimit që ka të bëjë me rritjen e llogaridhënies së komunave në raport me qytetarët".

"Në kohën kur Republika e Kosovës synon të integrohet në Bashkimin Evropian, aktiviteti që po prezantojmë sot shënon edhe një hap të rëndësishëm në këtë drejtim ", tha Ministri Sadri Ferati.

Gjithashtu Ministri Ferati tha se MAPL ka qenë dhe do jetë përkrahëse e fuqishme e komunave për të siguruar sa më shumë kompetenca dhe burime të mjaftueshme financiare në mënyrë që komunat e Kosovës të bëhen sa më të suksesshme dhe  të shëndrrohen në një tregim të suksesshëm për qeverisje lokale në gjithë rajonin.

Në emër të Asociacionit të komunave të Kosovës foli Kryetari i komunës së Ferizajt,  z.Bajrush Xhemajli dhe tha se "ky projekt është shumë i nevojshëm për komunat dhe se kjo iniciativë do të gjej mbështetje të plotë tek të gjitha komunat e Kosovës".
Për rëndësinë e projektit foli edhe Drejtori i Departamentit të E-Qeverisjes dhe proceseve administrative në Ministrinë e Administratës Publike  z.Isa Krasnqi dhe z.Flamur Mripa, këshilltar nga Banka Botërore.

Gjatë prezantimit të projektit nga përfaqësuesit e bankës botërore dhe kompanisë e cila po e zhvillon këtë projekt u tha se komuna e Ferizajt ka arritur të jetë një ndër komunat e para e cila po përparon në këtë projekt me pranimin e lëndëve dhe shqyrtimin e tyre dhe gjithashtu i mbanë shënimet e freskëta në uebfaqen e kësaj komune.

Ndërtimi i një administrate moderne, në përputhje me standardet evropiane ka të bëjë me ngritjen profesionale të burimeve njerëzore, shërbimet e të cilëve duhet të jenë të licencuara. Qëllimi kryesor i MAPL-së është  mbrojtja e  interesit publik dhe përgatitja e  institucioneve e vetëqeverisjeve  lokale në plotësimin e standardeve si parakusht për integrim të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.