Republika e Kosoves

Ferizaj

Me Akademi Solemne, Ferizaj shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

2019/03/07 - 8:56

Këtë pasdite, në shënim të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Ferizaj e shënoi me disa aktivitete institucionale dhe jashtë saj. Drejtoria e Arsimit, nën përkujdesjen e të parit të Ferizajt, Agim Aliu, kishte përgatitur një Akademi Solemne në Teatrin “Adriana”, me program të pasur artistik nga shkollarët ferizajas.

Në këtë ngjarje ku të pranishëm ishin drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, drejtorë të drejtorive komunale si dhe dhjetëra mësimdhënës, veteranë të arsimit dhe nxënës u mor lajmi i mirë se Çmimin “Shaban Jashari” në nivel republikan e ka fituar mësuesja ferizajase Sevdije Vishi, duke u vlerësuar “Mësuesja më e mirë për vitin shkollor 2017/18”.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në fjalën e tij duke bërë një përshkrim në periudhat historike të zhvillimit të arsimit shqip tha se në këtë datë nderojmë qindra e mijëra burra e gra që ndër shekuj bën përpjekje për t’i mësuar bijve të kombit tonë gjuhën e bukur shqipe dhe ngulitur dijen tek ta.

“Sot, është rasti të nderojmë ata qindra dhe mijëra burra dhe gra, të cilët nëpër shekuj bënë përpjekje për t’u mësuar gjuhën e bukur shqipe djemve dhe vajzave të këtij kombi. Shkollat e hershme shqipe ishin rezultat i nivelit të kahershëm arsimor, fryt i idealeve e vetëdijes së lartë kombëtare, i ngulmimit të shqiptarëve për emancipim dhe për mbrojtjen e kultivimin e vlerave të identitetit kombëtar. Kur kujtojmë 7 marsin e vitit 1887, mendja jonë është gjithmonë tek mësonjëtorja e parë shqipe e cila falë kontributit të pishtarëve të arsimit të asaj kohe si dhe të shumë brezave të tjerë, bëri të mundur që dituria dhe mendja e edukuar e kombit tonë ta përmbyste përgjithmonë heshtjen dhe asimilimin që të tjerët padrejtësisht me shekuj na kishin imponuar. Në këtë rrugëtim 132-vjeçar, nga Mësonjëtorja e deri në ditët e sotme, arsimi ynë është ndeshur me vështirësi të shumta, por përpjekjet e pareshtura që nga rilindësit e deri te mësuesit dhe akademikët e ditëve të sotme, kanë shënuar progres të jashtëzakonshëm. Ndonëse kemi arritje të mëdha, në këtë rrugë, ne sërish kemi vështirësi, por e vërteta është që mundësitë tona, potencialet tona, janë shumë e shumë herë më të mëdha se vështirësitë” tha drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani i cili vuri theksin edhe tek arsimi ferizajas që siç u shpreh megjithë sfidat, po punohet me angazhim maksimal në ecjen e përbashkët përpara.

Kurse në fjalën e saj, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi tha se kjo ditë bart në vete dy dimensione që në historinë e shkollës shqipe kanë qenë gjithmonë të pandashme, përkushtimin për dije dhe sakrificat për liri.

“Mësimdhënësit e Kosovës, nga gjenerata në gjeneratë, kanë qenë në ballë të lëvizjeve tona njëshekullore për çlirim dhe përparim. Historia e rrugëtimit tonë drejt lirisë nuk mund të ketë kuptim pa kontributin e mësuesve. Ju mbajtët gjallë frymën e rezistencës atëherë kur populli ynë përballej me politikën okupuese represive.
Ju ishit aty kur populli ynë u ngrit në luftë të armatosur për t’i dhënë fund kësaj politike.
Dhe përsëri në ditët e para të lirisë ju ishit aty ku po fillonte rindërtimi i jetës dhe vendit.
Ndaj, më lejoni që në këtë 7 Mars, një ditë e shenjtë për të gjithë mësimdhënësit të të gjitha niveleve, t’ju bëj një thirrje publike të gjithë arsimtarëve dhe arsimdashëse të Komunës sonë që njohuritë e tyre t’i vendosin në shërbim të zhvillimit të dijes e dialogut gjithëpërfshirës për të kontribuar së bashku në një vendimmarrje sa më cilësore, pasi për zhvillimin e vendit politika më e mirë e zhvillimit ekonomik është arsimi. Politikë e cila do të shpjerë e do të konsolidoj të ardhmen e suksesshme të të rinjëve tanë , një gjeneratë që me formimin e saj do të projektojë një qytetari me vlera demokratike të standarteve perëndimore” tha Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi.

Në këtë ceremoni ku pati edhe performancë artistike u dhanë edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar dhe ata që dhanë kontributin ndër vite në arsimin ferizajas.