Republika e Kosoves

Ferizaj

Në 2020-tën, nis ndërtimi i Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc

2019/11/11 - 11:21

Parku Memorial i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc, tashmë është projeksion buxhetor dhe dakordim zyrtar i dyanshëm mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për këtë, me qëllim nënshkrimin e memorandumit të bashëpunimit dhe financimit, sot në Prishtinë qëndroi i pari i Ferizajt, Agim Aliu i cili takoi ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Janë plot 400 mijë euro që janë ndarë sipas këtij memorandumi për financimin e jetësimit të projektit për ndërtimin e Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc. Kjo iniciativë, zotim i të parit të Ferizajt, Agim Aliu gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale, paraqet projektin unik në gjithë Republikën, shto kësaj edhe projektin për Muzeun e Kujtesës që përfundimisht i jep dimension tjetër shtetëror, përkujdesje profesionale e promovim cilësor të vlerave të luftës së lavdishme çlirimtare.

Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu përveç falënderimit ministrit Matoshi dhe qeverisë qendrore e Kuvendit të Republikës tha se kjo paraqet një dhuratë të çmueshme e krejt të veçantë që i bëhet Ferizajt e ferizajasve, paçka do të kthej vëmendjen e shumë studiuesve e kronikanëve të luftës për të eksploruar e dokumentuar luftën në Zonën Operative të Neredimes, përkatësisht Jezercin legjendar.

Projekti për ndërtimin e Parkut Memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezerc parasheh rindërtimin e rrugëve e kanaleve komunikuese të luftëtarëve gjatë luftës, shenjimin e vendrënieve të Dëshmorëve të Kombit si dhe një varg detajesh e investimesh në funksion të prezantimit të vlerave të luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejat e zhvilluara në Jezerc e zonën përreth.