Republika e Kosoves

Ferizaj

Në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vizitoi Ferizajn, premton mbështetje për arsimin lokal dhe orientimin e politikave arsimore në bazë të nevojave të tregut

2019/02/04 - 3:40

Në ditën e parë të fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, Elmi Reçica, zgjodhën Ferizajn për ta vizituar dhe për të dhënë urimin për mbarësi në këtë pjesë të vitit shkollor si dhe për të garantuar mbështetjen për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit dhe orientimin e politikave shtetërore në fuqizimin e këtij sektori. Shkolla që u përzgjodh për ta vizituar ishte ShFMU “Jeronim de Rada”, shkollë elitare e arsimit ferizajas, me suksese të jashtëzakonshme dhe model për gjithë vendin.

Për ta pritur të parin e Kuvendit të Kosovës, nikoqiri i kësaj vizite, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu shoqërohej nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani si dhe drejtorja e shkollës “Jeronim de Rada”, Servete Hajrullahu.

Dhjetëra nxënës e mësimdhënës, të gëzuar për ditën e parë të mësimit në gjysmë vjetorin e dytë, ishin rreshtuar me buqeta lulesh për t’i uruar mirëseardhje në shkollën e tyre, krerëve institucional të nivelit qendror dhe lokal. Siç e do rendi, mysafirëve, personeli drejtues dhe arsimor i shkollës i shpjegoi me hollësi mbarëvajtjen e punës në këtë institucion, kushtet e mësimit, rezultatet e arritura si dhe synimet për të ardhmen. Madje, u vizituan disa klasë mësimi dhe kabinete të pajisura sipas standardeve të kërkuara për një mësim cilësor.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo shkollë është një institucion elitar i arsimit lokal dhe për të uruar këto suksese i është bashkëngjitur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tutje tha se përveç urimit për sukseset e kësaj shkollë, janë edhe për të uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor, me dëshirën që këtij suksesi të shkollës “Jeronim de Rada” t’i bashkëngjiten edhe shumë shkolla tjera. Ai tutje, ka përmendur hapat konkret dhe politikat e ndërmarra nga qeverisja lokale në fushën e arsimit, për të konkluduar se i gjithë investimi i kësaj qeverisje, do të bëhet në këtë fushë, përmes politikave të drejta e të qëndrueshme që forcojnë këtë segment të jetës shoqërore.

“Padyshim që mbeten detyra dhe obligime dhe në kuadër të këtyre detyrave dhe obligimeve, më vjen mirë që sot e kemi Kryetarin e Kuvendit këtu dhe jemi në agjendë të njëjtë, në agjendë mbështetëse ndaj personelit arsimor, ndaj mësimdhënësve, nxënësve, prindërve që të realizojmë më lehtë atë aspiratë, atë synim, atë drejtim të shumë gjeneratave. Sigurisht se kjo mbështetje është në të dy rrafshet, edhe në rrafshin qendror por sigurisht se edhe në atë lokal dhe më vjen mirë që më në fund, kemi gjithë mbështetjen e duhur dhe gjithë përkushtimin e duhur në dy nga sektorët më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës dhe pikërisht nga Kryetari i Kuvendit, nga Qeveria e Republikës së Kosovës është shëndetësia dhe arsimi, por sot jemi për të folur pikërisht për arsimin më shumë sepse jemi në një objekt arsimor, në një shkollë që ka rezultate. Njëjtë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, pashkëputshëm është edhe qeveria ime lokale, të cilën e udhëheq unë dhe ju tashmë e dini që ne e kemi bërë ndryshimin. Ju tashmë e keni parë, përkushtimin, vullnetin por mbi të gjitha vendosmërinë tonë që vërtet të punojmë çdo ditë, në çdo orë të punës sonë që arsimi të jetë prioritet dhe që të shënojmë ato rezultate. Ju tashmë keni parë ndryshimet, keni parë mbështetjen por gjatë gjithë viteve të qeverisjes sime, kjo mbështetje do të vazhdoj për mësimdhënësit, për nxënësit dhe për prindërit sepse vërtet duam të japim shembullin më të mirë se e duam këtë vend, por mbi të gjitha e duam më shumë të ardhmen e sigurt të nxënësve. Hapat tonë janë të prekshëm por nuk do të ndalemi me hapat, veprimet dhe politikat e drejta e të qëndrueshme sa i përket arsimit, sepse konsideroj se i gjithë investimi ynë do të bëhet në arsim” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërsa, duke u shprehur i gëzuar për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor dhe kthimin e nxënësve në shkollë, pas disa javësh të grevës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dha garancën se institucionet e shtetit do t’i qëndrojnë edhe më afër personelit arsimor, por që cilësia të rritet si dhe të orientohet arsimi në bazë të nevojave të ekonomisë së lirë të tregut, duke forcuar përveç sektorit publik, edhe atë që është fuqia ekonomike e vendit tonë, sektorin privat.

“Kemi ardhur së bashku me Kryetarin e Ferizajt dhe deputetin po ashtu të Ferizajt, në një shkollë ndër më të mirat në Republikën e Kosovës “De Rada”, që të ndajmë gëzimin në rend të parë, unë jam shumë i lumtur që fëmijët tanë janë kthyer në shkollë. Kjo është më kryesore dhe do të rifillojnë mësimin. Njëjtën kohë, jam shumë i lumtur që kemi arrit si institucione të Republikës së Kosovës që t’iu dalim përballë kërkesave të tyre. Sot të gjitha kategoritë në sektorin publik, mësuesit, profesorët, mjekët, policët, ushtarët, pensionistët, të gjitha kategoritë të cilat i kemi në sektorin publik kanë rritje të pagave nga masa 20% deri në masën 82%, njëjtën kohë mund të them me plotë bindje para qytetarëve tanë se garantojmë edhe stabilitetin makrofinanciar dhe makroekonomik të vendit tonë, do të thotë në ditën e sotshme kur po flasim, punonjësit publik kanë pagat më të mira edhe sesa, jo vetëm vendet e regjionit, po se po, por edhe disa vende të Bashkimit Evropian. A është mjaft, jo do të bëhet edhe më shumë. Tani jemi në një shkollë, mesazhi është ky, do të qëndrojmë edhe më afër punonjësve dhe edukatorëve për edukimin e fëmijëve tanë, por duhet të rritet kualiteti. Këta fëmijë duhet të krijohen kuadro të cilët do të zhvillojnë Kosovën, do të thotë, krijimi i kuadrove në bazë të nevojave të ekonomisë së tregut. Duhet të orientohemi nga pjesa e cila është nevojë e ekonomisë së lirë të tregut, për të dal tek pjesa që është më qenësore, nuk zhvillon, nuk përparon, nuk ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës, sektori publik, burokracia. Të gjitha të ardhurat e Kosovës, vijnë nga prodhimi, nga ndërmarrësia, nga ekonomia private, do të thotë ky do të jetë orientimi ynë i cili do të jetë shumë serioz, do të jemi përkrah punëtorëve në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve, në sektorin privat por edhe më shumë do të jemi përkrah ndërmarrësve, për arsye se ka vetëm një rrugë, ajo rruga e djathtë, ajo rruga ekonomike e transformimit modern të ekonomisë sonë në një ekonomi prodhuese përmes njerëzve të cilët janë ndërmarrës, janë novatorë e ajo është ekonomia private” tha Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Në anën tjetër, drejtorja e ShFMU “Jeronim de Rada” në Ferizaj, Servete Hajrullahu duke i uruar mikpritje të çdohershme në këtë institucion, drejtuesve të lartë të shtetit, në rastin konkret, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i falënderoi këta të fundit për vizitën dhe i njohu më për së afërmi me rezultatet e punës në këtë shkollë si dhe sukseset e arritura ndër vite.

“Është një shkollë që e ka traditë punën dhe disiplinën. Nuk do t’iu zhgënjejmë me punë, gjithmonë me punë do t’i arrijmë dhe do t’i bëjmë realitet synimet tona, synimet e gjakut që është derdhur, synimet e sakrificës që është bërë dhe të gjitha të tjerat. Sepse vetëm me punë do t’i tregojmë të gjithë të tjerëve që ne jemi ata që jemi edhe borxh i kemi vetëm tokës dhe atdheut. Për mua është fat dhe nder që sot më është bërë kjo vizitë. Si shkollë kemi shënuar shumë rezultate në gara të ndryshme të diturisë dhe ju siguroj se nuk do të ndalemi edhe për sukseset e reja” tha drejtorja e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Jeronim de Rada”, Servete Hajrullahu.