Republika e Kosoves

Ferizaj

Nga të rrallët personalitete ferizajase, që la gjurmë me punën e tij tri dekadëshe, përshkuar me sakrifica të panumërta personale e familjare, i shquar e një nga emrat më të respektuar të profesoratit ferizajas, i dalluar për modestinë e skajshme që e tipizon, është ky profesori universitar, doktori i shkencave bujqësore, ferizajasi i shquar, Dr. sc. Xhavit Ramadani

2021/12/04 - 8:53

I rritur në një familje me taban kombëtar, histori e kontribute që kryqëzohen me zhvillimin e Ferizajt, Dr. Sc. Xhavit Ramadani, diplomoi më 1990 në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, për të vijuar përkundër pafund vështirësive e gjendjes së rëndë politiko-shoqërore, studimet postdiplomike, ku pas peripetive të shumëllojta, arriti të ndjek studimet në shkencat e qumështarisë në Universitetin e Novi Sadit më 1997-1999, të cilat studime iu ndërprenë për shkak nisjes së luftës në Kosovë, për t’i rifilluar më 2001, studimet e magjistraturës në Fakultetin e Bujqësisë në Sarajevë, drejtimi Teknologjia e Prodhimeve Blegtorale, të cilat i përfundoi në vitin 2004.
Më 2006, regjistroi doktoraturën në Universitetin Bujqësor në Tiranë – Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, të cilat përfunduan më 2009, për të vazhduar, gjithnjë modest e kontributdhënës në zhvillimin e arsimit universitar në këtë lëmi, nisur qysh në vitet e vështira ’90, me mësimdhënien në sistemin paralel të arsimit, në Shkollën e Mesme të Bujqësisë “Zenel Hajdini” (1990-1993) në Ferizaj, e më pastaj, nga viti 1993 e deri më tani, në Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti i Prishtinës. Në këtë institucion fillimisht është angazhuar si asistent në lëndët e Teknologjisë Ushqimore, ndërsa në vitin 2010 është avancuar me titullin Profesor. Janë pafund mentorime të diplomimit të studentëve në nivelet bachelor, master dhe doktoraturë, kontributi në themelimin dhe përparimin e Departamentit të Teknologjisë Ushqimore me Bioteknologji, duke qenë edhe shef i departamentit, çka me nismat dhe kontributet e tij, paraqet një ndër drejtimet më të kërkuara në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Dr. Sc. Xhavit Ramadani, përveç kontributit të vlerësuar shkencor, me materialet didaktike dedikuar studentëve, botimin e praktikumit për analiza laboratorike, monografi dhe dhjetëra punime shkencore e profesionale në revistat vendore dhe ato ndërkombëtare, udhëheqjen e trajnimeve të shumta nga kjo fushë për zyrtarë shteti, bujq dhe fermerë, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës, duke qenë pjesëmarrës në konferenca të shumta ndërkombëtare si në vende të ndryshme në rajon, Evropë, Izrael dhe SHBA, duke avancuar dijet vetanake profesionale e shkencore, përkthyer në dobi të studentëve. Prof. Xhaviti, bashkë me bashkëshorten Valbonën, magjistre e teknologjisë ushqimore, rrugën e dijes shkencore ia trasuan edhe fëmijëve, Arditit që është në prag të përfundimit të studimeve të doktoraturës në Kompjuterikë Biomjekësore dhe Elijonin në prag të diplomimit në nivelin master në shkencat kompjuterike, të dy në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), Gjermani, vlera këto personale, familjare, shkencore, që çmohen lartë.