Republika e Kosoves

Ferizaj

Një nga më të veçantit zëra në skenën muzikore të gjithë gjeografisë shqiptare, është edhe ai i tenorit të shquar, suksesplotë e referencë e muzikës së mirëfilltë shqipe, anëtarit të Filharmonisë së Kosovës, bashkëpunëtorit të rregullt të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, ferizajasit të dalluar, Liridon Sadriu

2022/01/08 - 7:52

Tenori Sadriu qysh në shkollimin fillor shfaqi talentin e tij, për ta formësuar edhe më në shkollën e mesme të muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj, për të filluar më pas studimet në Universitetin e Prishtinës, Akademinë e Arteve, dega solokëndim, klasa e prof. Ahmet Dërgutit, ku u prezantua në koncerte të shumta si solist tenor në kuadër të Fakultetit të Muzikës. Nga viti 2008, tenori Sadriu është anëtar i Filharmonisë së Kosovës, ku përfaqësoi vendin në koncerte të shumta brenda vendit por edhe jashtë tij, si në Paris, Londër, Tiranë, Shkup e në vende të tjera evropiane si dhe në qytete të ndryshme në gjithë gjeografinë shqiptare.
Një nga të shumtat suksese të tij është edhe ai i vitit 2009, kur së bashku me korin “New Born” nën udhëheqejen e dirigjentit Ylber Asllanaj, në Vienë, Austri fituan çmimin e tretë në festivalin koral “Suma Cum Laude”, gjersa më 2015 tenori Sadriu mori pjesë në koncertin e “Tre Tenorët” në Tiranë ku gjithashtu mori vlerësimet më të larta nga kritika muzikore atje.
Rrugëtimi i tij profesional, krahas muzikës klasike, u zhvillua paralelisht edhe me muzikën e mirëfilltë shqipe. Nga viti 2014, tenori Sadriu është bashkëpunëtor i rregullt i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ” Shota” ku merr pjesë në koncerte të shumta të organizuara nga Ansambli. Po kështu, tenori Sadriu më 2021, në Prizren dhe Rahovec u shpërblye me çmimin si solist më i mirë në kuadër të Festivalit të muzikës së mirëfilltë shqipe, vlera këto që çmohen e respektohen në mes ferizajasve e më gjerë.