Republika e Kosoves

Ferizaj

Panairi i Librit në Ferizaj mbledhë mbi 30 shtëpi botuese

2022/08/04 - 12:14

Në organizimin e Klubit Letrar “De Rada” dhe në bashkëpunimin me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Ferizaj është hapur Panairi i katërt i Librit.

Hapja zyrtare e kësaj ngjarjeje të rëndësishme u bë nga Zyrafete Shala nga Klubi Letrar “De Rada”, e cila veç të tjerash ka potencuar faktin se ideatorë kryesorë të hapjes së një panairi në qytetin e Ferizajt, ishin Gazmend Bytyqi dhe Arsim Hamiti nga ky klub.

Shala gjithashtu ka falënderuar edhe të gjitha shtëpitë botuese pjesëmarrëse në panair, të cilat po prezantohen në Ferizaj me tituj të shumtë.

Ndërkaq Xhemile Murati-Shabani, drejtoreshë në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ideatorët e këtij panairi.

Sipas saj, hapja e këtij panairi është një tregues, se qyteti i Ferizajt, është i njohur për aktivitete kulturore.

Panairin e Librit në Ferizaj, e ka vlerësuar lart edhe Berat Daka, pjesëmarrës në këtë panair, ndërkaq ka theksuar se organizimi i panairit në Ferizaj, është njëri ndër organizimet më të mira në nivel vendi.

Ndërkaq organizatori i kësaj ngjarjeje, tre blerësve të parë të secilës shtëpi botuese u ka dhuruar nga një libër të poetit të njohur e tashmë të ndjerë kosovar, Xhevdet Bajra.

Panairi i Librit do të jetë i hapur për tre ditë radhazi në sheshin e qytetit në Ferizaj.