Republika e Kosoves

Ferizaj

Pas borës, të gjitha rrugët e Ferizajt janë në gjendje të mirë

2019/01/26 - 8:13

Edhepse mbrëmë u regjistrua dendësi e jashtëzakonshme e reshjeve të borës e me intensitet kohor të pandërprerë për disa orë me radhë, gjë që natyrshëm zvogëloi mundësitë e autoriteteve që të bënin punë efektive, këta të fundit arritën që në një hark kohor 24 orësh, por duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, pandërprerë të mirëmbanin rrugët kryesore në qytet dhe fshatra nga reshjet e dendura të borës, për të mundësuar qarkullimin e lirë, pa pengesa e rreziqe për qytetarët. Për të vlerësuar gjendjen në terren, mbrëmë doli edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili. Nga inspektimet e kryera, gjendja rezultoi e mirë përjashtimisht disa zonave ku dendësia e borës vështirësonte kryerjen e suksesshme dhe të plotë të planit operativ për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

Ndonëse vërehet trashësi e konsiderueshme e borës përgjatë gjithë territorit të Ferizajt, nga raportimet e terrenit në kohë reale njoftohet se të gjitha rrugët kryesore përgjatë qytetit dhe fshatrave janë të hapura , krejtësisht të qarkullueshme për mjetet motorike dhe se përpjekja e autoriteteve lokale është që të pastrohen edhe disa nga rrugët dytësore dhe trotuaret në qytet e fshatra.

Natyrshëm, ndonëse gjendja e përgjithshme vlerësohet të jetë e mirë, paraqiten kohë pas kohe vështirësi në disa zona, sidomos aty ku mundësia e intervenimit me makineri të rënda është e kufizuar.

Komuna e Ferizajt falënderon operatorët e angazhuar në mirëmbajtjen dimërore të rrugëve për punën papushim, të cilët kanë aktivizuar gjithë makinerinë e rëndë operative në eliminimin e bllokadave eventuale të rrugëve, gjegjësisht hapjen e rrugëve dhe mundësimin e qarkullimit të lirshëm. Gjithashtu, Komuna e Ferizajt, apelon tek ngasësit që të shtojnë kujdesin në trafik dhe t’i përshtatin me kushtet atmosferike qarkullimin e tyre. Një mobilizim qytetarë vullnetar vërehet edhe nga qytetarët ferizajas të cilët po ndihmojnë ekipet tona të terrenit në mirëmbajtjen e hapësirave përskaj pronave të tyre për të cilat autoritetet lokale i falënderojnë publikisht.