Republika e Kosoves

Ferizaj

Përurohen 8 pika furnizuese me ujë (hidrante) në qytet dhe fshat, përmes së cilave shkurtohet maksimalisht koha e reagimit të zjarrfikësve në fatkeqësitë nga zjarri

2020/11/27 - 11:45

Paraditen e sotme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, drejtues të Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, vizituan punimet e kryera në projektin e ndërtimit të hidrantëve, investime këto që lehtësojnë jashtëzakonisht shumë punën e kohën e reagimit të Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, në rast të fatkeqësive nga zjarri.
Edhe një projekt i ri në Ferizaj, premtim i përmbushur ky i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu që përfundimisht krijon parakushtet e nevojshme për reagim të shpejtë të ekipeve emergjente në raste të fatkeqësive.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Arben Halili tha se kjo kërkesë ka ardhur nga Brigada e Zjarrfikësve poashtu ka qenë premtim i Kryetarit të Komunës, Agim Aliu, e që si të tilla janë përmbushur, kurse vitin e ardhshëm do të investohet poashtu në zgjerimin e këtij investimi deri në 25 hidrantë.
“Kërkesa ka ardhur nga Brigada e Zjarrfikësve, ky ka qenë edhe premtim i Kryetarit Aliu gjatë fushatës, ne veç e kemi implementuar këtë vit. Është një projekti i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, pikërisht për të qenë më efikas në shërbim të qytetarëve. Janë të vendosur 8 hidrantë në zonën qendër të qytetit, kjo do t’ia lehtësoj punën operativës në këtë rast Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit që të jenë më efikas, më të shpejtë në intervenimet e rasteve të zjarreve, qoftë fushore, qoftë malore apo ekonomive familjare. Do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm me projekte të tilla, për ta zgjeruar deri në 25 hidrante në gjithë Ferizajn” tha mes tjerash drejtori Halili.
Me këtë projekt janë ndërtuar pikat furnizuese me ujë apo hidrantë në këto lokacione: Rr. “Brahim Ademi”, Rr. “Riza Matoshi” – Nikadin, Rr. “Rexhep Bislimi”, Rr. “Hilmi Ferizi” – Talinoc i Muhaxherëve, Rr. “Imri Halili” – Doganaj, Rr. “Skënderbeu”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Rr. “Kadri Zeka” në Ferizaj, pra duke përfshirë kështu zonën urbane dhe rurale të Ferizajt.
Falënderues për këtë investim të qeverisjes lokale u shprehën edhe drejtuesit e Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj. Ata thanë se me këtë investim por edhe të tjera të realizuara në dobi të punës së tyre, lehtësohet dukshëm aktiviteti i tyre i përditshëm dhe mbrohet prona e pasuria e qytetarëve, duke intervenuar në kohë rekorde në rast fatkeqësive nga zjarri.