Republika e Kosoves

Ferizaj

Plejadës së ferizajasve meritorë, që me punën e tyre profesionale, pasionin për shkencat humane, mjekësinë, shembullit të jashtëzakonshëm të përkushtimit, padyshim i bashkohet e zë vend të rëndësishëm edhe magjistri i shkencave mjekësore, Doktori i Shkencave, i rralli e shumë i nderuari mjeku kirurg, Dr. Skender Shabani

2021/07/30 - 12:19

Karriera e Dr. Skenderit dhe pasioni i tij për shkencat humane, mjekësinë, zë fill që nga studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, për të vijuar pas diplomimit me punën si mjek i praktikës së përgjithshme nga viti 1983 më Qendrën Mjekësore në Ferizaj deri më 1990, kur siç dihet nga organet e dhunshme, nxirret nga puna, për t’u dënuar me 3 muaj burg nga regjimi i atëhershëm serb, më pas specializimin që e vazhdoi më 1992 në lëminë e kirurgjisë së përgjithshme në Klinikën e Kirurgjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, studimet pasdiplomike më 1997 në Universitetin e Prishtinës të cilat i përfundoi më 2002, kontributi i tij në mjekimin e ushtarëve dhe civilëve të plagosur gjatë luftës në disa zona të Kosovës, kthimi pas çlirimit më 20 Qershor në Klinikën e Kirurgjisë, subspecializimi më 2002 në Kirugji Laparoskopike, të qenurit drejtor i Spitalit në themelim të Ferizajt çka bëri që të vë themelet e këtij institucioni në kohën më të vështirë pas çlirimit, puna në Klinikën e Kirurgjisë ku u zgjodh edhe shef i repartit të kirurgjisë abdominale, zgjedhja drejtor i Klinikës së Kirurgjisë të QKUK-së më 2004 deri më 2007 e shënuar me suksese domethënëse siç është kompletimi me kuadro i shumë reparteve, avancimi në klikina të reparteve të kirurgjisë së fëmijëve, urologji dhe neurokirurgji, raportet e bashkëpunimit me klinika nga Franca, Gjermania, Austria, SHBA, ku mjekët përfituan profesionalisht, doktoratura më 2005, të qenurit mentor klinik i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë nga ku dolën kuadro të rëndësishme, të qenurit asistent i lëndës së kirurgjisë pranë Katedrës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, puna me kirurgji abdominale dhe laparoskopike, duke vënë në spikamë edhe punën e tij shkencore profesionale, që bëjnë emrin e tij, referencë të shëndetësisë shqiptare e më gjerë si dhe personalitetin e tij, kontributin dekadësh, një vlerë të Ferizajt e shëndetësisë mbarëshqiptare.