Republika e Kosoves

Ferizaj

Qendra e Sporteve dhe Panaireve në Greme çdo ditë po ngreh shtatin, Kryetari Aliu i kënaqur me dinamikën e punimeve

2019/05/18 - 11:19

 

Punimet në ndërtimin e Qendrës së Sporteve dhe Panaireve në Greme të Ferizajt, po zhvillohen me një dinamikë dhe intensitet të lartë. Cilësia e lartë e punimeve dhe aplikimi i standardeve më të larta infrastrukturore është ajo që po përcjell ndërtimin e këtij objekti shumëfunksional që ka ngritur tashmë shtatin në fshatin Greme.

Për t’i inspektuar këto punime dhe dinamikën e tyre, doli Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Ai pa nga afër punët e kryera në të gjitha nyjet e kësaj ngrehine që do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në bizneset ferizajase si qendër ekspozuese si dhe hapësirën e re e moderne për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Kryetari Aliu u shpreh i kënaqur me ritmin e punëve dhe cilësinë e tyre.

Qendra e Panaireve dhe Sportit në fshatin më të zhvilluar të Ferizajt, epiqendrën e industrisë së drurit dhe të tjera, fshatin Greme është një ndër ngrehinat më të rëndësishme dhe projekti më i nevojshëm që do ta decentralizoj zhvillimin e sporteve edhe në zonën rurale si dhe mbështetjen e krijimin e mundësisë promovuese për bizneset.