R E A G I M
2023/03/16 - 9:11
Ditëve të fundit, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi në dy raste Ferizajn. Vizita e parë ishte për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarri në objektin e ish-Gjimnazit të vjetër në Ferizaj dhe dje, në nisje të restaurimit të objektit të Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj.
Është e habitshme, krejt joinstitucionale dhe tendencë ofenduese për qytetarët ferizajas dhe udhëheqjen komunale të Komunës së Ferizajt, që në të dy rastet, ministri Çeku dhe stafi i tij, nuk denjoi t’i takoj, t’i ftoj udhëheqjen apo zyrtarët përkatës komunal në daljet në vizitë të këtyre objekteve. Madje, për më keq, në këto vizita të ministrit Çeku, u dalluan qartazi tendencat e përvetësimit partiak e politik të këtyre projekteve me motivin e “mbrojtjes dhe kujdesit ndaj tyre”.
Ferizajasit kanë zgjedhur drejtuesit e tyre në zgjedhjet e fundit lokale. Projektet të cilat ministri Çeku ishte në vizitë, janë projekte të ideuara, inicuara, të nxitura e të shtyra përpara nga Komuna e Ferizajt në çdo takim e planifikim buxhetor me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pra janë projekte të Komunës së Ferizajt, me financimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjë që kështu e rregullon legjislacioni në fuqi, për shkak se të tillat objekte janë trashëgimi kulturore e gjithashtu në mbrojtje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me organet e saja të specializuara.
Ferizaj ka zot shtëpie! As sjellja arrogante e përfaqësimit ministror, as të deputetëve njëpartiak, të cilët sa kishin funksione drejtimi të kulturës në nivel lokal, nuk bënë asgjë domethënëse për t’i mbrojtur e promovuar këto objekte, nuk e ndërron bindjen që kanë ferizajasit. Përveç ngutisë për të zëvendësuar rolin e prokurorit e hetuesit, shout mediatik hipokrit, kjo sjelljë ngjanë e pakulturë dhe krejt jashtë protokolleve e sjelljeve institucionale – model i dëmshëm që tenton të instalohet në Ferizaj, por që ferizajasit, fatmirësisht, me përbuzje e refuzojnë.