Republika e Kosoves

Ferizaj

Renovohen dy shkolla falë bashkëpunimit mes të rinjve ferizajas, mbështetjes së Komunës dhe donatorit amerikan

2020/12/01 - 2:42

Nismat dobiprurëse për komunitetin asnjëherë nuk kanë munguar në Komunën e Ferizajt. Kjo falë edhe rrjetëzimit me organizata e grupe të ndryshme edhe përtej kontinentit europian. Janë Alma Topalli dhe Alberta Maloki që kanë lidhur kontaktet me familjen Jones në Kansas City – SHBA, këta të fundit donatorë në bashkëfinancim të investimeve në rregullimin e deri më tani dy shkollave në Komunën e Ferizajt.
Si pjesë e këtij angazhimi, bashkë me edhe punën vullnetare të komunitetit të fshatit Mirosalë prirë nga organizatori Rasim Bytyqi, mbështetur edhe nga Komuna e Ferizajt, janë kryer disa intervenime në rregullimin teknik të klasëve, tavanit, dritareve në këtë shkollë, pas përfundimit të të njejtit angazhim edhe për shkollën “Naim Frashëri” në Doganaj.
Kurse në shkollën e fshati Mirosalë janë kryer shumë rregullime, duke përfshirë rregullimin e klasave, blerjen e inventarit shkollor, krijimin e bibliotekës dhe këndit të lojërave, renovimin tërësor të toaleteve e investime të tjera përfshirë edhe dhurimin e laptopëve e mjeteve shkollore për nevojat e shkollës.
Ky angazhim i familjes Jones, prirë nga kryefamiljari Allen Jones, bashkë me vullnetarët tjerë ferizajas e të tjerë, ka bërë që këto dy shkolla të njohin investime domethënëse në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
Komuna e Ferizajt, falënderon publikisht të angazhuarit në këtë nismë dhe donatorët për këtë nismë dobiprurëse për komunitetin e nxënësve në këto shkolla.