Republika e Kosoves

Ferizaj

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj vizitoi Ferizajn, konfirmoi mbështetjen nga Qeveria e Kosovës dhe themelimin e Zonës Ekonomike

2019/01/24 - 3:38

Viti 2019 për Ferizajn po nis me vazhdim të mbështetjes si kurrë më parë nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Në këtë pikëpamje, edhe paraditen e sotme, për të vizituar Ferizajn dhe konfirmuar këtë mbështetje, erdhi numri dy i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj i shoqëruar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli si dhe zëvendësministri i Financave, Mustafa Grainca. Këta të fundit i priti nikoqiri i këtij takimi, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha si dhe Selim Marevci – shef i kabinetit të kryetarit.

Temë e diskutimit në këtë takim ishte rritja e mbështetjes për Ferizajn, në pikëpamje të financimit të projekteve të ndryshme zhvillimore në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, me theks të veçantë, gjë të cilën e konfirmoi Zv. Kryeministri Hoxhaj, ishte se Ferizaj është një hap para krijimit të zonës ekonomike, për të cilat siç u shpreh ai janë përfunduar në mënyrë brilante të gjitha procedurat e nevojshme. Po kështu, në këtë takim u diskutua edhe për projektet e kulturës dhe rinisë, progresin e procedurave në disa prej projekteve zhvillimore të Ferizajt përmes së cilave është kërkuar financimi i tyre në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu falënderoi Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe përmes tij Kuvendin e Qeverinë e Republikës së Kosovës, për gjithë mbështetjen gjatë vitit 2018, të këtij viti dhe viteve në vijim. Ai tha se me këtë mbështetje, qeverisja e tij do të realizoj qind për qind zotimet e dhëna para qytetarëve të Ferizajt madje do të tejkalohen edhe ato objektiva qeverisëse.

“Shpreh kënaqësinë dhe falënderimin që sot në Ferizaj kisha Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës së bashku me deputetët Reçica ,Topalli dhe zëvendësministrin Mustafa Grainca. Gjithsesi një vizitë në fillim vit është e një rëndësie të veçantë, se zakonshëm muaji janar është muaj ku nevojitet motivim, nevojitet mbështetjeje dhe Ferizaj në vitin 2018 por edhe në vitin 2019, ka nevojë për një mbështetje më ndryshe dhe më të fuqishme. Dhe pikërisht sot prezenca e Zëvendëskryeministrit, po e dëshmon edhe një herë se Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës është i fokusuar që ta mbështesë Ferizajn. Janë dy arsye themelore të cilat janë mirëkuptua drejt dhe fuqishëm nga Zëvendëskryeministri, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Arsyeja e parë është gjendja në të cilën e kemi gjetur si qeverisje Ferizajn me obligime të shumta dhe të më lejohet që të falënderojë Zëvendëskryeministrin për gjithë mbështetjen që më ka dhënë gjatë vitit 2018, sigurisht falënderues edhe për vitet në vazhdim, për investimet dhe projektet që pritet që e presin Ferizajn. Arsyeja e dytë e mbështetjes së Qeverisë dhe Kuvendit është për shkak të rëndësisë që ka Ferizaj për Republikën e Kosovës, për shkak të asaj që Ferizaj paraqet për Republikën e Kosovës dhe për këtë jam shumë falënderues. Në emër të qytetarëve t’ju falënderojë të gjithëve për mbështetjen e projekteve që na keni bërë gjatë vitit 2018, projekte tashmë të filluara, por edhe projekte të tjera që duhet të mbështeten për shkak të fondeve që duhet të sigurohen për vitin 2019, por sigurisht që ju falënderojë edhe për mbështetjen e dhënë që të jemi pjesë e projektbuxhetit që po besoj ditëve në vijim do të jetë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Ferizaj do të jetë me një prezencë të mirë të projekteve me mjetet monetare që janë në dispozicion. Dua të zotohem para qytetarëve të Komunës sonë, se Ferizajn e presin ditë të mira, e presin investime serioze dhe kjo ndodh , për shkak të arsyeve të cilat i përmenda më lartë. Sigurisht se refleksioni i Qeverisë është për faktin që qytetarët e Ferizajt, komuniteti i biznesit është kontribut dhënës për zhvillimin ekonomik jo vetëm për Ferizajn, por për gjithë territorin e Republikës së Kosovës, prandaj kjo është një arsye shtesë që sot Zëvendëskryeministri është mbështetës së bashku me deputetët, por edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës ndaj Ferizajt. Gjithsesi se do të ketë projekte në ndërkohe sot i diskutuam me Zëvendëskryeministrin Hoxhaj që do i shtymë përpara në agjendën tonë qeverisëse edhe atë që e kam thënë në vitin që sapo e përfunduam edhe tash që e filluam një vit tjetër të qeverisë tonë zotohemi para qytetarëve që ata që ne e kemi pas pjesë të platformës, atë që e kemi thënë para qytetarëve të Ferizajt do e tejkalojmë, që do ta realizojmë qind për qindshin, sepse kemi një mbështetje të Qeverisë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në fjalën e tij para gazetarëve përgëzoi Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për punën e tij duke e quajtur kryetar model për gjithë Republikën e Kosovës, kurse për diskutimet në këtë takim, numri dy i Qeverisë së Republikës së Kosovës konfirmoi mbështetjen nga niveli qendror, me theks të veçantë siç u shpreh ai, është çështje ditësh themelimi i një zone të mirëfilltë ekonomike për Ferizajn duke shprehur interesin dhe vullnetin e qeverisë që Ferizaj të jetë një prej qendrave të mëdha dhe me infrastrukturën e nevojshme që lidh Republikën e Kosovës, kryesisht me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Jam në Ferizaj, së bashku me deputetët dhe zëvendësministrin që t’i ofroj mbështetje Kryetarit të Komunës, ky është Kryetari i Komunës suaj që ju e keni zgjedh, por në pikëpamjen tonë është kryetari më i mirë që ka Republika e Kosovës. Është një njeri që ka bërë punë brilante në vitin 2018 dhe ka mbështetjen edhe politike edhe miqësore dhe njerëzore si qeveri qendrore. Besoj që është njëri prej kryetarëve model në Republikën e Kosovës, dua t’ju përgëzojë për punën e bërë në vitin 2018 dhe ju them që llogaritni në mbështetjen tonë. Në vitin 2019 në përputhje me mundësitë tona dhe falë punës që kanë bërë edhe dy deputetët e Ferizajt do të ketë një mbështetje të mirëfilltë financiare. Me sa di unë, buxheti mbështetës është rreth 30 milionë euro për Komunën e Ferizajt, e di që keni nevoja edhe më shumë, por ajo që ne biseduam me Kryetarin e Komunës me deputetë dhe zëvendësministrin, ne jemi të interesuar që Ferizaj ta ketë një zonë të mirëfilltë ekonomike , ka qenë kërkesë e kahershme e Kryetarit të Komunës, zëvendësministrit Grainca, ka bërë një punë brilante për këtë dhe unë besoj brenda ditësh do të formalizohet themelimi i kësaj zone ekonomike në Ferizaj të cilët do të bëjmë përpjekje që gjatë këtij vitit të bëjmë një përmbajtje të re, një dimension të ri përmes organizmit të një konference të investitorëve së bashku me Kryetarin e Komunës dhe unë si Zëvendëskryeministër do të jem në dispozicion të tij, të bizneseve të Ferizajt, që realisht në vitin 2019 këtë konferencë të investitorëve ta shndërrojmë në diçka të prekshme dhe në diçka të matshme. Të gjitha këto projekte dhe këto hapa kanë të bëjnë me një filozofi që e kemi në qendër duhet një zhvillim të balancuar në Kosovë, nuk duhet që krejt investimet të ndodhin në Prishtinë, ne jetojmë, punojmë dhe shërbejmë në Prishtinë, por ne mendojmë që Kosova duhet të ketë një balancë në zhvillim Ferizaj, duhet të jetë një qendër e cila duhet ta lidh Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë, por duhet të jetë prej qendrave më të mëdha ekonomike që ka Republika e Kosovës sikurse që duhet të jetë Prizreni, Peja, Gjilani, Mitrovica, pra jo të gjitha zhvillimet të ndodhin në Prishtinë” tha Zëvendëskryeministri Hoxhaj.