Republika e Kosoves

Ferizaj

Pozita gjeografike

Ferizaj është qendër komunale dhe rajonale në pjesën jugore të Fushës së Kosovës, qendra e të cilit është 42°22’80’’ të gjerësisë gjeografike veriore dhe 21°09’12’’ të gjatësisë gjeografike lindore, në lartësi mesatare 850 m mbi nivelin e detit.  Është udhëkryq i rrugëve të rëndësishme që e lidhin qytetin me Prishtinën në veri dhe më tej me Evropën Qendrore, me Shkupin në jug, në drejtim të Greqisë, me Prizrenin e Pejën në perëndim, në drejtim të Shqipërisë, Malit të Zi e vendeve buzë Adriatikut dhe me Gjilanin në lindje, në drejtim të Ballkanit lindor dhe Lindjes së Afërt.

Distanca e Ferizajt me Prishtinën është 38 km, me Shkupin – 48 km, me Gjilanin – 32 km, me Prizrenin – 70 km. Me të gjitha këto qytete Ferizaj lidhet me rrugë magjistrale, ndërsa me Shkupin, me Prishtinën dhe me Prizrenin po lidhet edhe me autostradë. Ferizaj është 40 km afër aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Ferizaj është qendër rajonale, ku bëjnë pjesë komunat e afërta: Shtimja, Shtërpca, Kaçaniku dhe Hani i Elezit.

Afër Ferizajt gjenden pika të rëndësishme turistike: Brezovica, e cila po shndërrohet në qendër ndërkombëtare të skijimit dhe turizmit malor, i ka 40 km distancë në jugperëndim, Shpella e Gadimes, e cila është një monument unik prej mermeri, i ka vetëm 20 km largësi në veri të Ferizajt, Banja e Kllokotit, e njohur në Ballkan për rehabilitim shëndetësor dhe për kurimin e sëmundjeve reumatike, është po ashtu 20 km në lindje, ndërsa BIFURKACIONI I NERODIMES, një fenomen i rrallë hidrografik, është vetëm 1 km në perëndim të Ferizajt.

Vija hekurudhore e lidh Ferizajn me Shkupin, në drejtim të Ballkanit jugor e lindor dhe me Prishtinën e Mitrovicën, në drejtim të vendeve evropiane.