2015/06/12 - 12:26
Në organizim të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë zhvilluar aktivitete të shumta në kuadër të shënimit të “12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Fushë-Kosovës”.
Fillimisht është organizuar Turneu në Volejboll për Femra ku morën pjesë tri ekipe: KV ‘Fushë- Kosova’, KV ‘Gryka’ nga Llapushniku i Drenasit dhe KV ‘Prishtina’.
Fitues i kësaj gare doli KV ‘GRYKA’ nga Llapushniku, KV ‘Prishtina’ u radhit i dyti dhe i treti KV ‘Fushë-Kosova’.
Komuna e Fushë-Kosovës – DKRS ndau kupa dhe medalje si dhe mirënjohje për klubet pjesëmarrëse.
Shënimi i 12 Qershori-it vazhdoi me mbajtjen e mbledhjes solemne të Kuvendit të Komunës në të cilën u nda çmimi tradicional “Qytetar Nderi” për vitin 2015.
Fillimisht, Kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Krasniqi, falënderoi këshilltarët dhe të pranishmit për pjesëmarrje, si dhe i uroi ata për angazhime dhe rezultate të reja.
Me vendimin e Kuvendit të Komunës, nr. 80, të datës 08.06.2015, çmimi “Qytetar Nderi” për vitin 2015 i takoi shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit të njohur nga Lugina e Preshevës, z. Mexhid (Abedin) Mehmeti. Z. Mehmeti është autor i disa shkrimeve, veprave letrare e publicistike, poezi, tregime, novela, etj. Me pranimin e çmimit, nga mësuesja veterane dhe fituese e çmimit nga viti i kaluar, zonja Sadije Ymeri, z. Mehmeti falënderoi Kuvendin e Komunës dhe Kryetarin Berisha për këtë nder që i bënë.
Aktiviteti që përmbylli shënimin e kësaj dite ishte koncerti i organizuar në amfiteatrin e qytetit. Grupet kulturore: Ansambli “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova, “Xhavit Haziri” nga Obiliqi dhe Ansambli “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, defiluan në rrugën kryesore “Nënë Tereza” për t’u kthyer më pas në amfiteatrin e qytetit ku shfaqën një program të zgjedhur me këngë dhe valle.
Grupet pjesëmarrëse në këtë aktivitet u nderuan me mirënjohje nga Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Nurije Avdiu.