Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Aktivitete të shumta me rastin e shënimit të 17 Shkurtit

2015/02/18 - 1:03

Festa e Pavarësisë – 17 Shkurti, në komunën e Fushë-Kosovës u shënua me një varg aktivitete. Fillimisht udhëheqja më e lartë e komunës vendosi kurora në varrezat e dëshmorëve, derisa Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport organizoi aktivitete gjatë tërë ditës.
Kryetari i komunës, z. Burim Berisha, vizitoi fëmijët në kopshtin e qytetit “Gëzimi Ynë” ku me ta kaloi disa çaste dhe u uroi Festën e Pavarësisë. Pas kësaj vizite Kryetari Berisha u ndal edhe në QKMF “Dr. Fatmir Krasniqi”, ku nga stafi i kësaj qendre u njoftua  për së afërmi rreth gjendjes dhe kushteve me të cilat punohet në këtë qendër. Kryetari Berisha theksoi se tani kjo qendër do të ketë kushte më të mira pasi që është zgjeruar hapësira dhe së shpejti pritet edhe funksionimi i emergjencës.

Festa e Pavarësisë – 17 Shkurti vazhdoi në sallën e sporteve me organizimin e ‘Turneut në futboll të vogël’. Interesimi për këtë garë ishte i madh, kurse për fituesit, në përmbyllje të kësaj gare, u ndanë kupa. Në Qendrën e Kulturës u hap ekspozita në pikturim e nxënësve të shkollave të komunës sonë. Juria e përbërë nga profesorë të artit vlerësoi punimet më të mira. Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ndau Mirënjohje dhe shpërblime për fituesit e kësaj ekspozite. Në mbrëmje u organizua koncerti festiv në sallën e Qendrës së Kulturës. Para një numri të madh të simpatizuesve të këngës dhe valles shqipe performuan të tri grupet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës” kurse këngëtari Ramadan Sahiti nga repertoari i tij kishte zgjedhur këngë kushtuar Festës së Pavarësisë së Kosovës.