Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova rrëmben çmimet në festivale të rangut kombëtar

2018/05/07 - 1:17

Ishin Festivali “Hasi Jehon” dhe “Eshkë e Ndezur mbi Shkëlzen” dy festivalet që hapën siparin e festivaleve mbarëkombëtare për këtë vit. Ansambli “Zëri i Kosovës në të dy këto festivale prezantoi vlerat dhe traditat gjithëkombëtare përmes këngës dhe valles së ekzekutuar drejtpërsëdrejti. Kriteri kryesor i pjesëmarrjes në festivalin “Hasi Jehon” ishte prezantimi i riteve, traditave dhe vlerave të mirëfillta të kulturës shqiptare. Në këtë festival ishin mbi 20 ansamble nga e gjithë gjeografia shqiptare.

Krahas tri ansambleve-shoqërive që vlerësohen me çmime tradicionale: “Malësori”, “Malësorja”, “Lahuta”, ndahen edhe çmimet individuale që i marrin këngëtarët dhe valltarët, apo ritet.

Ansambli “Zëri i Kosovës” u prezantua me një këngë dhe valle të zgjedhura, që nga publiku u mirëpritën, kurse juria profesionale këtij ansambli i ndau mirënjohje dhe çmimin e dytë të festivalit  “Malësorja”.

Ky ansambël mbrëmë performoi edhe në Deçan në festivalin mbarëkombëtar “Eshkë e Ndezur mbi Shkëlzen” ku prezantimi i pikave bëri publikun të ngritët në këmbë dhe të duartrokitet gjatë.