Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Brukseli i jep Kryetarit të Komunës sonë çmimin: “Kryetari më Miqësor me Romët”

2018/04/16 - 2:29

Një delegacion i Kosovës, i kryesuar nga Zyra e Kryeministrit, përkatësisht Zyra për Qeverisje të Mirë, me z. Habit Hajredini, si dhe Komuna e Fushë-Kosovës, e kryesuar nga Kryetari Burim Berisha, pastaj përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, OJQ “VORAE” Orhan Butiq dhe aktivisti i komunitetit rom nga Fushë-Kosova, z. Ridvan Gashi, u kthyen nga vizita zyrtare në Bruksel.

Parlamenti Evropian, së bashku me Këshillin e Evropës dhe shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Turqinë, nga data 8 deri më 12 prill kishin organizuar Javën e Kulturës Rome në Evropë “EU ROMA WEEK”.

Kryetarët e Komunave të Ballkanit dhe Turqisë kanë qenë të nominuar për çmimin: “Kryetari më Miqësor me Romët”

Ky çmim, që është i një rëndësie të veçantë për Kosovë, iu dha Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, për punën dhe kontributin që ka dhënë gjatë vitit 2017 për komunitete në Komunën e Fushë-Kosovës.

Duke pranuar këtë mirënjohje të lartë Kryetari Berisha tha se: ‘Kosova pas luftës së fundit ka punuar shumë dhe me hapa të shpejtë për integrimin e të gjitha komuniteteve. Këto komunitete, pra edhe komuniteti RAE, me kalimin e kohës, janë trajtuar të barabartë me të gjitha komunitetet tjera, andaj edhe në të ardhmen do të vazhdojmë që t’i mbështesim dhe t’i përkrahim në të gjitha fushat e jetës, pa dallim nacionaliteti, race, gjuhe, përkatësie fetare apo gjinore. Ata sot janë pjesë e të gjitha institucioneve si lokale ashtu edhe qendrore’, u shpreh në fund Kryetari Berisha duke pranuar çmimin “Kryetari më Miqësor me Romët”

Edhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Kryeministrit dhe të KE-së vlerësuan lart kontributin dhe angazhimet e institucioneve të Kosovës, e në këtë rast vlerësime pozitive drejtuan edhe për Komunën e Fushë-Kosovës të udhëhequr nga Kryetari Berisha.