Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Është mbajtur mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri

2019/07/01 - 2:07

Nën drejtimin e kryetarit të Komunës, z. Burim Berisha, i cili njëkohësisht është edhe kryesues i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, është mbajtur mbledhja e radhës ku u diskutua për situatën e sigurisë, përfundimin e vitit shkollor dhe për shërbimet publike.

Kryetari Berisha informoi të pranishmit se situata e përgjithshme në komunën tonë vlerësohet e mirë, pa probleme dhe normale. Të njëjtin mendim ndau edhe kapiteni z. Argjent Gashi, i cili raportoi për situatën e sigurisë për këtë gjashtëmujorë duke e konsideruar si stabile dhe pa probleme të mëdha. Po ashtu ai theksoi se nuk kemi raportime për ngjarje dhe situata të rënda në komunën e Fushë-Kosovës. Edhe përfaqësuesi i FSK-së, z.Halil Krasniqi, përmendi angazhimin gjatë sezonit të verës duke thënë se kemi kapacitete të mjaftueshme për zjarrëfikje dhe ndërhyrje të shpejta. Z.Gashi ofroi ndihmë dhe bashkëpunim për emergjenca dhe zjarre në këtë sezon vere.

Nga ana e saj, zyrtarja e DKA-së tha se ky vit shkollor ka përfunduar me sukses. Orët e humbura gjatë grevës janë zëvendësuar, kurse shkollat kanë pasur gjithë infrastrukturën e mundshme dhe kushtet për punë normale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Maliq Berisha, përmendi normalizimin e gjendjes me ujë të pijshëm. ‘Po punojmë edhe në eliminimin e deponimeve me mbeturina ilegale si dhe në projekte të tjera në infrastrukturë’ tha z. Berisha.

Shëtitorja në rrugën ‘Dardania’ do të hapet nga 15 korriku deri më 25 gusht, ku qytetarët do të kenë hapësirë më të madhe për të lëvizur.

Në fund të mbledhjes së KKSB-së kryetari i Komunës bëri një përshkrim të gjerë të vazhdimit të punëve dhe projekteve që po realizohen në komunën e Fushë Kosovës gjatë këtij viti, por edhe të punëve në të ardhmen.