Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Fushë-Kosova drejt fundit të zgjidhjes së problemit me ujë të pijshëm

2018/06/07 - 3:11

Në zyrën e Kryetarit të Komunës, z.Burim Berisha, për një takim pune qëndruan sot Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z.Valdrin Lluka dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’, z.Ilir Abdullahu.

Duke i njoftuar të pranishmit për zhvillimet e përgjithshme në komunën e Fushë-Kosovës, Kryetari Berisha u ndal te problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Fushë-Kosovës, problem ky i cili ishte edhe tema kryesore e këtij takimi.

Kryetari Berisha tha se çështja e furnizimit me ujë të pijshëm aktualisht është një ndër problemet më të theksuara për qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës dhe një nga prioritetet që kërkon zgjidhje urgjente.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë bisedës theksoi se me investimet që do të bëhen së shpejti në rrjetin e ujësjellësit, komuna e Fushë-Kosovës brenda vitit do të ketë furnizim me ujë 24 orë.

Sipas Ministrit, brenda disa javësh do të merret vendimi për financimin e këtij projekti dhe pastaj do të fillohet me procedurat tjera të nevojshme, kështu që deri në muajin shtator do të mund të realizohet ky projekt dhe qytetarët e Fushë-Kosovës të kenë ujë të pijshëm 24 orë.

Ndërsa, Kryeshefi i KRU ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, tha se arsyeja e mos furnizimit të Fushë-Kosovës me ujë të pijshëm deri tani ka qenë mungesa e financimit, po ashtu shtoi se me projektin që do të kushtojë 400 mijë euro më në fund do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë.

Në fund të takimit Kryetari Berisha falënderoi Ministrin z.Lluka dhe Kryeshefin z.Abdullahu për angazhimin e tyre duke premtuar se së bashku do të punojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

Pas përfundimit të këtij takimi të tre bashkëbiseduesit premtuan se qytetarët e Fushë-Kosovës gjatë fundit të muajit shtator, eventualisht pjesës së parë të muajit tetor, do të kenë ujë 24 orë.