Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Gjashtëmbëdhjetë familje nga Fushë-Kosova do të bëhen me shtëpi të reja

2018/11/09 - 10:35

Në prani të kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, drejtorit të organizatës “Qatar Charity”, Mahmoud Shaker, dhe zëvendësministrit të Ministrisë së Administratës Publike, Bashkim Krasniqi, gjashtëmbëdhjetë familje përfituese nënshkruan kontratat për ndërtimin e shtëpive të reja. Me këtë rast, kryetari Berisha falënderoi të pranishmit dhe në veçanti drejtorin e organizatës “Qatar Charity”, z. Shaker, për gatishmërinë dhe solidaritetin e treguar që këto familje të bëhen me shtëpi të reja. Me tej, z.Berisha theksoi se me organizatën “Qatar Charity” kemi një bashkëpunim të gjerë tani e disa vite dhe ky bashkëpunim ishte kryesisht në ndërtim dhe renovim të shtëpive, hapje të puseve etj. Projekti i fundit është shumë i rëndësishëm, pasi që familjet në nevojë tashmë kanë mundësi për të jetuar në kushte shumë më të mira se deri më tash, tha z. Berisha.

Nga ana e tij, drejtori i organizatës “Qatar Charity” z. Shaker, falënderoi kryetarin Berisha për gatishmërinë e ofruar për realizimin e këtij projekti. Ai vlerësoi po ashtu edhe bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin, përmes ndihmës të së cilëve është arritur që të identifikohen 16 familje në nevojë të cilat kanë qenë raste prioritare.  Z.Shaker shtoi se si organizatë edhe në të ardhmen do të ndihmojmë në projekte që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës.

Zv. ministri i Ministrisë së Administratës Lokale, Bashkim Krasniqi, falënderoi kryetarin e Berisha për bashkëpunimin dhe gatishmërinë që ky projekt të realizohet, dhe po ashtu uroi edhe familjet përfituese.

Pas shfaqjes së një videoje mbi aktivitetin e “Qatar Charity” foli edhe arkitekti i këtij projekti z.Arsim Gërgjaliu.

Në fund të aktivitetit u bë nënshkrimi i kontratave në mes të Komunës së Fushë-Kosovës, organizatës “Qatar Charity” dhe 16 përfituesve nga ky projekt.