Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Kolegji AAB dhe Komuna e Fushë-Kosovës nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi

2018/06/04 - 2:41

Me qëllim të zhvillimit, promovimit të bashkëpunimit profesional dhe akademik në mes të dy institucioneve, Kolegji AAB dhe Komuna e Fushë-Kosovës nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi. Marrëveshja u nënshkrua mes rektorit të Kolegjit AAB, z. Lulëzim Tafa dhe Kryetarit të Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Marrëveshja përfshin edhe kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkollore dhe parashkollore të Komunës së Fushë-Kosovës si dhe vizita të ndërsjella të të dy institucioneve. AAB me këtë Marrëveshje do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës së Fushë-Kosovës, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.

Kujtojmë se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në fushën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna si dhe shumë institucione e organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, ku studentët e këtij Kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.