Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Komuna e Fushë Kosovës dhe OSBE shënojnë Ditën e Demokracisë me debat për diversitetin dhe përfshirjen

2018/09/14 - 7:27

Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me OSBE-në, ka organizuar sot një debat mes lidershipit komunal, nxënësve të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” dhe publikut për të diskutuar diversitetin dhe përfshirjen si një nga vlerat themelore të demokracisë, për të shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtatorin.

Të pranishëm në debat ishin kryetari i komunës z. Burim Berisha, nënkryetari Fadil Krasniqi, drejtoresha e administratës Nurije Fazilu, këshilltari i asamblesë komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Durim Hajra dhe këshilltarja e asamblesë komunale nga PDK, Aida Halimi. Panelistët ofruan pikëpamjet e tyre për diversitetin dhe përfshirjen në nivel komunal, se çfarë bën komuna për të ofruar shërbime për të gjithë, pa dallim etnie, race a feje dhe si përfshirjen në vendimmarrje të të gjitha shtresave e shoqërisë.

Nxënësit patën rastin të shtrojnë pyetje të ndryshme drejtuar lidershipit komunal lidhur me temën. Si pjesë e shënimit të Ditës së Demokracisë, nxënësit e shkollave të mesme të komunës kanë marrë pjesë në një garë për shkrimin e eseve me temën “Diversiteti dhe Përfshirja”.

Shkrimi i nxënëses së klasës XII të gjimnazit Hivzi Sylejmani, Etlevë Islami, u shpall si eseja më e mirë.