Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Komuna jonë përfituese e ndërtimit të 12 shtëpive për të kthyerit – komuniteteve pakicë

2018/04/24 - 2:38

Është arritur ‘Memorandum Mirëkuptimi’ për realizimin e projektit “EU Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë – faza e V-të” (EU-RRK V) ndërmjet Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK) dhe Komunës së Fushë-Kosovës.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është të vendosë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikase midis Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Komunës së Fushë-Kosovës gjatë implementimit të projektit “EU Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë – faza e V-të, (EU-RRK V ose “Projekti”). Projekti financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe MKK-ja dhe implementohet nga IOM-i.

Në këtë fazë të realizimit të projektit, Komuna e Fushë-Kosovës do të përfitojë ndërtimin e 12 shtëpive, ndërsa madhësia e shtëpive do të jetë varësisht nga numri i anëtarëve të familjeve përfituese: 45m2, 62m2, 75m2.

Implementimi i projektit për Komunën e Fushë-Kosovës është projektuar që të vazhdojë deri në vitin 2021.