Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha priti në takim Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Fatmir Matoshi

2018/10/22 - 5:52

Temë kryesore e takimit ishte problemi i ndërtimit të objektit për ruajtjen e mbeturinave të rrezikshme në Komunën e Fushë-Kosovës.

Kryetari Berisha shprehu shqetësimet e mëdha të banorëve të Komunës së Fushë-Kosovës e në veçanti të fshatrave Harilaq, Sllatinë e Madhe dhe pjesës së Rrafshinave si dhe të bizneseve të cilat operojnë në atë zonë.

“Nuk jemi kundër projekteve nacionale por jemi kundër lokacionit të caktuar për ndërtim të këtij objekti sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, andaj kërkojmë që ky vendim të rishqyrtohet dhe zgjidhja më e mirë do të ishte zhvendosja e kësaj deponie në një lokacion tjetër më të përshtatshëm ku nuk është i banueshëm” potencoi kryetari Berisha.

Të enjten do të mblidhet Kuvendi i Komunës në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku pjesëmarrës do të jenë edhe përfaqësues nga MMPH për të diskutuar lidhur me këtë qështje dhe për të ardhur deri te një zgjidhje e përbashkët rreth këtij problemi.

Nga ana tjetër, ministri Matoshi theksoi se bashkë me Kryetarin, Kuvendin Komunal dhe banorët e asaj zone, do të vijmë deri te një zgjidhje e pranueshme për të gjithë pas shqyrtimit të kërkesave dhe shqetësimeve rreth ndërtimit të këtij objekti në këtë lokacion.