2021/04/04 - 2:30
Kryetari i komunës së Fushë-Kosovë z Burim Berisha, në 22-vjetorin e vdekjes, kujtoi aktivistin e pa lodhshëm të çështjes kombëtare, ish-sekretarin e Degës së LDK-së dhe Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Fushë-Kosovë Ymer Sfarqa.
Duke e quajtur si një nga veprimtarët më të shquar të LDK-së dhe të Lëvizjes në përgjithësi z.Berisha tha se personaliteti shumëdimensional i të ndjerit Sfarqa ngërthente në vete vlera humane, patriotike e emancipuese për shoqërinë dhe shtetin.
“Ai i shërbeu vendit, si intelektual, sekretar i degës së LDK-së, si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Fushë-Kosovë dhe si njeri me virtyte të larta morale e politike. Ymeri dëshmoi pjekuri dhe maturi prej intelektuali e strategu duke u treguar i afërt me qytetarët dhe problemet e tyre të përditshme, andaj edhe popullariteti i tij nuk ishte i rastësishme”, thuhet në përkujtimin e sotëm të kryetarit të komunës së Fushë-Kosovës z.Burim Berisha.
Sipas kreut të komunës së Fushë-Kosovës, ikja e hershme e Ymerit për në amshim ishte një zbrastirë e pazëvendësueshme për familjen, rrethin ku jetonte ndërsa Fushë-Kosova dhe dega e LDK-së, humbi njërin nga kolosët e saj.
“Duke kujtuar burra si Ymer Sfarqen, ne mbetemi të motivuar që të punojë edhe më shumë në lartësimin dhe realizimin e misionit të shtetndërtimit, në të cilin Ymeri kishte dekada jete e pune që po kontribonte.
Lavdi jetës dhe veprës së Ymer Sfarqes!
Kujtimi për të qoftë i përjetshëm!”, përfundoi Kryetari Berisha.