Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Kryetari i Komunës, z.Burim Berisha priti z.Bajram Gecaj, Zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal

2015/02/06 - 12:47

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, pasi i uroi mirëseardhje mysafirit nga MAPL-ja dhe delegacionit të tij, tha se komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin e regjistrimit të komuniteteve RAE (rom, ashkalinj dhe egjiptas) dhe se ky regjistrim do të krijojë mundësinë për të verifikuar gjendjen reale të këtyre komuniteteve, ndërsa lidhur me regjistrimin do të inkuadrohen edhe organizatat joqeveritare dhe aktorët tjerë me interes që do të ndihmonin realizimin me sukses të këtij procesi.

Zëvendësministri Gecaj, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë që iu bë, tha se regjistrimi i qytetarëve rom, ashkalinj dhe egjiptas është mjaft i rëndësishëm për realizimin e të drejtave elementare si dhe për faktin se do ta avancojë vendin në dy procese të rëndësishme siç është ‘Liberalizmi i Vizave’ dhe ‘Marrëveshja e Stabilizim Asociimit’.

 

Kryetari Berisha dhe Zëvendësministri Gecaj, vizituan një familje rome në komunën e Fushë-Kosovës për t’u njohur për së afërmi me gjendjen e tyre, ndërsa ekipet e MAPL-së, në kuadër të fushatës së regjistrimit, kanë shpërndarë fletëpalosje, banerë dhe bluza në gjuhën shqipe, serbe, rome dhe turke.
Me qëllim të promovimit të të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë të së drejtës së regjistrimit, si segment i rëndësishëm i të drejtave universale të njeriut, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vazhduar fushatën për regjistrim për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas.

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, z.Burim Berisha dhe Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Bajram Gecaj, vizatuan vendbanimet e banuara me komunitetet: rom, ashkalinj dhe Egjiptas, që banojnë në komunën e Fushë-Kosovës.