Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Letërnjoftimi i Komunës së Fushë-Kosovës 2012 prej GAP-it

2012/08/29 - 9:18

Zyra për informim në Komunën e Fushë-Kosovës bënë këto komente lidhur me ‘raportin’ e GAP-it lëshuar në media:
– ‘Raport’ i ngjashëm me emisionin e realizuar Jeta në Kosovë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Si duket janë ndarë shumë të pakënaqur me këtë emision GAP-i dhe rrjetet e ngjashme sepse nuk kanë arritur ta mashtrojnë opinionin me të pavërtetat e tyre.
– Pjesa e ‘analizës’ së bërë për shërbimet dhe mallrat është jo serioze, jo profesionale dhe e pa vlerë, sepse nuk përkon fare me realitetin.
– Të gjitha shpenzimet për shërbime dhe mallra janë konform buxhetit të aprovuar në Kuvendin Komunal, me vendime dhe procedura të rregullta dhe duhet ta kuptojnë të gjithë, edhe GAP-i dhe rrjetet e ngjashme se asnjë shpenzim nuk mund të bëhet jashtë linjave buxhetore sepse buxheti është shumë kokëfortë dhe nuk lejon.
– Ne jemi një Komunë që realizojmë shumë të hyra dhe që i shpenzojnë konform ligjit, dhe këtë e dinë më së miri qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës ku për çdo ditë marrin shërbime cilësore në të gjitha fushat ku realizohen me qindra projekte.
– Fushë-Kosova është një kantier ndërtimi, një kantier pune ku po transformohet dhe po ndryshon për çdo ditë në planin urban, parqe e rrugë, trotuare, shkolla të reja e ambulanca, ujësjellësi e kanalizimet, objekte sportive e ndriçim, investime te mëdha në ambient, pastërti dhe të arritura shumë të mëdha në kulturë, në zhvillimin rural të blegtorisë. Ndoshta kjo ju pengon juve dhe dikujt tjetër. Dhe ta banalizosh një punë shumë serioze me disa thënie primitive (çebapa, sallata dhe kafe) tek shpenzimet e shërbimeve dhe mallrave është shumë e ulët dhe më shumë se e turpshme.
– Njerëzit shkojnë për të jetuar aty ku ka institucione demokratike, të përgjegjshme dhe efikase, aty ku ka ligj, rregull dhe qetësi, dhe kjo është Komuna e Fushë-Kosovës dhe ky është fakti që ju demanton juve dhe gjithnjë do të mbeteni të pakënaqur.

– Ardhja e një numri të madh të njerëzve për të jetuar në Komunën tonë i demanton edhe më shumë disa media të tjera që janë shërbyer me të pavërteta për të mashtruar opinionin publik nga “raporti i GAP-it”.
– Është e turpshme për GAP-in dhe disa qarqe mediale që provojnë të mashtrojnë opinionin publik dhe qytetarët.
– Të plasohet në media një ‘raport’ para se t’i dorëzohet Komunës është shumë jo serioze dhe nuk e shohim të udhës të merremi me këto gjëra që iu vjen era edhe fushatë politike dhe denigruese.