Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe Komunës së Fushë-Kosovës

2018/06/01 - 10:32

Në prani të Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë znj. Natalyia Apostolova dhe Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal z. Todosijevic është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit i cili vendosë bashkëpunimin në mes të programit rajonal të Këshillit të Evropës për ‘Promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e komunitetit rom në nivel vendor” dhe Komunës së Fushë-Kosovës në kuadër të zbatimit të programit ROMACTED.

Programi do të zbatohet në Shqipëri, Kosovë, Turqi, Maqedoni, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Serbi ( 59 komuna të rajonit). Komunat e zgjedhura në Kosovë janë: Fushë-Kosova, Lipjani, Obiliqi, Ferizaj, Istogu, Gjakova, Mitrovica dhe Graçanica.

Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, shfaqi gatishmërinë për angazhimin dhe nxitjen e mëtutjeshme për bashkëpunim, përmes mekanizmave të komunikimit të rregullt, duke shkëmbyer informacione dhe përditësim të aktiviteteve përkatëse.

Po ashtu, Kryetari Berisha potencoi se do të promovohet përfshirja e komunitetit rom dhe ashkalinj në nivel vendor, duke u bazuar në parimet e Qeverisjes së Mirë Demokratike, formuluar nën kuadrin e Këshillit të Evropës. Përfshirja jonë, si autoritet lokal, do të jetë kontributi përgjatë gjithë kohëzgjatjes së programit dhe kontributit në arritjen e objektivave në nivel vendor, u shpreh kryetari në fund të takimit.