Nënshkruhet Marrëveshja e Financimit për instalimin e impianteve fotovoltaike në objektet shkollore
2024/08/13 - 7:17
Sot kryetari i Komunës së Fushë Kosovës z. Burim Berisha ka pritur në takim Drejtoren e KFOS-it zj. Lura Limani me të cilën kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin dhe zbatimin e projektit për instalimin e impianteve fotovoltaike në objektet e shkollave të komunës sonë.
Ky projekt me vlerë 130,000 EUR nga donatorët dhe 20.000 EUR nga komuna do të përdoret për zbatimin e instalimit të impianteve fotovoltaike që do të prodhojnë energjinë elektrike për nevojat e shkollave.
Me këtë marrëveshje fillon investimi me qëllim instalimin e pesë impianteve fotovoltaike (prodhim energjie elektrike përmes energjisë diellore) mbi ndërtesat e shkollave “Mihail Grameno”, “Daut Bogujevci”, “Shkolla e Mesme Profesionale ”, “Hivzi Sylejmani” dhe “Vëllezërit Frasheri”.
Energjia elektrike që do të prodhohet nga këto impiante do të përdoret nga komuna me qëllim për të ulur konsumin e saj të përgjithshëm nga rrjeti publik duke krijuar kështu një kursim direkt në faturat e energjisë elektrike.
Për menaxhimin efikas të investimit Fondacioni me Komunën do të krijojnë “Forumin Komunitar të Shkollave”, i cili përbëhet nga përfaqësuesi i Komunës, përfaqësuesi i Fondacionit, një përfaqësues nga stafi menaxherial i secilës shkollë dhe një përfaqësues i komunitetit të prindërve për secilën shkollë.
Ky investim është pjesë e aktiviteteve të komunës për modernizmin e sistemit arsimor komunal dhe në pajtim me politikat për reduktimin e kostove publike.