Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi për përfshirjen sociale të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian në Komunën e Fushë-Kosovës

2018/12/14 - 11:19

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës – Burim Berisha, priti dje në takim z. Naim Osmani – Drejtor Ekzekutiv – Programi për të Drejtat Civile Kosovë (CRP/K) dhe z. Miroslav Dvořák – Drejtori Ekzekutiv – ‘Counselling Centre for Citizenship/Civil and Human Rights’ (PORADNA), me ç’ rast nënshkruan edhe Memorandumin e Bashkëpunimit për: ‘Zbatimin e strategjisë së përfshirjes sociale të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian’ përmes të cilit synohet të elaborohen apo të barten përvojat e Republikës Çeke në këtë fushë.

Kryetari Berisha gjatë këtij takimi theksoi se perceptimi i Komunës është bazë kryesore për përfshirjen efektive sociale të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian në fushëveprimin e gjithanshëm në krijimin e platformës së të gjithë pjesëmarrësve kyç të cilët merren me statusin e komuniteteve në mbështetjen e të drejtave të tyre, si dhe funksionimin e kësaj platforme duke u bazuar në takime të rregullta me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të këtyre komuniteteve.

Po ashtu, Kryetari siguroi që Komuna do të shkëmbejë përvojën e saj sa i përket funksionimit të Komitetit të Veprimit Komunal dhe rezultatet e veprimeve të tij do të shkëmbehen me komunat tjera në Kosovë, si shembuj të praktikës së mirë.