Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Njoftim nga Drejtoria e Arsimit

2020/09/11 - 3:43

Në Komunën e Fushë-Kosovës sikurse në të gjithë Kosovën, me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19 fillimi dhe realizimi i mësimit në situatë të jashtëzakonshme është formë e paprovuar më parë. Mirëpo, arsimi dhe shkolla për komunën tonë  është me rëndësi te veçantë, që nënkupton aktivizimin dhe mobilizimin e të gjithëve në funksion te plotësimit të misionit të shkollës.

Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim  me MASH-in, drejtorët e shkollave, kujdestarët e klasave dhe mësimdhënësit lëndorë si dhe me këshillat e prindërve ka kontaktuar dhe iu ka bërë thirrje në forma të ndryshme të gjithë nxënësve e prindërve të tyre që t`i inkurajojnë dhe mbështesin fëmijët e tyre për formën e re të mësimit si dhe respektimin e masave kundër pandemisë.

Pastaj,  në tri shkollat: SHFMU “Selman Riza”, SHFMU “Mihal Grameno” si dhe SHFMU “Daut Bogujevci” mësimi fillon sipas planit A të Ministrisë së Arsimit (kl. e parë, kl. e dytë, kl e tretë dhe kl. e gjashtë), ndërsa shkollat e fshatrave fillojnë me mësim të rregullt nga kl. e parë deri ne kl. e nëntë, mirëpo të ndarë në grupe.

Në ndërrimin e paradites mësimin e vijojnë  kl. e gjashta në dy grupe të ndara dhe mësimi fillon në ora 7:30, kurse në ndërrimin e pasdites mësimin e vijojnë kl. e para, të dyta dhe treta dhe mësimi fillon nga ora 13:00.

Shkolla e mesme “Hivzi Sulejmani” mësimin e fillon sipas udhëzimit të MASH-it, vetëm kl. e 10, ndërsa shkollat e mesme profesionale fillojnë mësimin të gjitha klasat e 10, 11 dhe 12.

Ju njoftoj se në Komunën e Fushë-Kosovës janë dezinfektuar të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Kemi bërë pastrimet e nevojshme të lokaleve mësimore, kemi siguruar pajisje mbrojtëse ndaj COVID-19, sapunë dhe dezinfektues për pastrimin e duarve, një numër të konsiderueshëm të maskave dhe termometra infrared. Po ashtu kemi shënuar në dysheme të hyrjeve të shkollave dhe në brendi të lokaleve mësimore shenjat për mbajtjen e distancës në mes të nxënësve. Posterët për rrezikun dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë vendosur në vende të dukshme në të gjitha shkollat.

Urojmë që shtatorët tjerë të jenë  më të mirë për të gjithë fëmijët e botës, andaj u jemi mirënjohës të gjithë mësimdhënësve që japin më të mirën e mundshme të profesionit të tyre tek nxënësit, duke ua plotësuar dhe pasuruar boshllëqet, me përmbushjen e  mendjes  dhe shpirtit  me dashuri për dijen dhe shkollën!