Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Përfundoi me sukses Festivali i II-të Ballkanik i Folklorit ‘Fushë-Kosova 2018’

2018/09/24 - 4:11

Fushë-Kosova për dy ditë ishte nikoqire e Festivalit të dytë Ballkanik të folklorit. Pas akomodimit të grupeve pjesëmarrëse, nga dy përfaqësues të grupeve dhe udhëheqësit e tyre u pritën nga kryetari i komunës z.Burim Berisha, i cili iu dëshiroi mirëseardhje dhe suksese në këtë festival, si i vetmi, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Gjatë pritjes së organizuar për grupet pjesëmarrëse, kryetari Berisha u dhuroi atyre edhe Plaketat e Festivalit.

Festivali filloi sipas programit të hartuar nga këshilli organizativ. Defileu i shteteve pjesëmarrëse filloi nga parku i qytetit, përgjatë rrugës ‘Nënë Tereza’, për të vazhduar rrugës ‘Dardania’ deri te oborri i SH.F.M.U ‘Mihal Grameno’ ku edhe filloi programi.

Në skenën e festivalit, shtetet pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kroacia, Turqia, Maqedonia dhe Kosova, për dy net radhazi shpalosën vlerat dhe kulturat e tyre përmes këngës dhe valles së bukur. Koreografia, kostumet dhe prezantimet e tyre u vlerësuan nga një juri profesionale në përbërje prej: z.Artan Ibershima profesor i Akademisë së Arteve Skenike nga Tirana, kryetar i jurisë, profesor Blagoje Jovanovski nga Shkupi, anëtar, dhe kompozitori i mirënjohur nga Kosova Sami Piraj.

Ansambli më i mirë, që u radhit në vendin e parë, e që u nderua me çmimin më të lartë, ishte ‘Skënderbeu’ nga Korça. Këtë çmim e ndau drejtoresha e festivalit znj.Nurije Avdiu. Në vendin e dytë dhe të tretë u radhitën Ansamblet ‘Mirce Acev’ nga Shkupi dhe ‘NAKEM’ nga Bursa – Turqi. Organizatori i festivalit ndau çmimet edhe për: orkestrën më të mirë, koreografinë më të mirë, valltarët më të mirë, valltari më i mirë, kostumet më të mira, dyshja më e mirë e festivalit dhe paraqitja skenike më e mirë.

Një numër shumë i madh i shikuesve ishin të pranishëm në ambientet e SH.F.M.U  ‘Mihal Grameno’ të cilët u ndanë të kënaqur me prezantimin e grupeve nga shtetet pjesëmarrëse. Në realizimin e gjithë këtij festivali ndihmuan Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Kulturës, po ashtu angazhimi i Policisë së Kosovës, stacioni në Fushë-Kosovë ishte i jashtëzakonshëm duke krijuar kushte të mira për defileun dhe mbarëvajtjen e programin në përgjithësi. Për dallim nga festivali i vitit të kaluar, këtë vit, ky festival ishte edhe më madhështor, gjithashtu edhe në aspektin medial ishte shumë mirë i mbuluar.

Vlerësimet e përgjithshme nga këshilli organizativ dhe këshilli artistik janë se festivali është realizuar sipas parashikimeve.