Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Përfundon me sukses Turneu madhështor i Karatesë

2018/03/13 - 4:38

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha,  të dielën më 11 mars, 2018, u mbajt Turneu IV-të  Ndërkombëtar Tradicional i Karatesë “Fushë-Kosova Open 2018” në Fushë-Kosovë. Fjalën përshëndetëse në emër të Komunës së Fushë-Kosovës e mbajti Nurije Avdiu, Drejtoreshë e DKRS me ç’ rast edhe bëri hapjen e Turneut duke i njoftuar të pranishmit se së shpejti do të ndërtohet një Palestër Sportive me mbi 1200 ulëse dhe një tjetër pikërisht për sportet Marciale. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Kryetari i klubit “Fushë-Kosova”, z. Bashkim Ibrahimi. Hapjen solemne e madhështoi, me tingujt e tij  “Ansambli “Zëri i Kosovës” i cili u prit me duartrokitje të gjata.

Mbi 500 garues morën pjesë nga Kosova dhe vendet e rajonit të cilët garuan për medalje, Palestra Sportive ishte vend i vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit për përcjelljen e  këtij Turneu kaq të madh, që rrallë është mbajtur ndonjëherë në Kosovë një i tillë. Klubet e Fushë-Kosovës treguan rezultatet më të mira ndër të gjitha klubet. Karateistët e Klubit “Fushë-Kosova“ Fushë-Kosovë u renditën në vendet e para duke grumbulluar 11 medalje të arta,  2 të argjendta dhe 8 të bronzta. Nga 44 klube që morën pjesë Klubi i karatesë ”Fushë-Kosova“ u rendit në vendin e parë të këtij turneu, gjithashtu edhe Klubi i Karatesë nga Fushë-Kosova “Martial Arts“ tuboi  2 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 8 të bronzta.

Komuna e Fushë-Kosovës – DKRS u nderuan me Mirënjohje nga Federata e Karatesë së Kosovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të karatesë.

Mbajtjen e këtij Turneu e organizoi Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federata e Karatesë së Kosovës dhe KLubi i karatesë “Fushë Kosova“ Fushë-Kosovë.