Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Përurimi i shkollës së re në Fushë-Kosovë

2012/09/07 - 11:06

Fushë-Kosova është bërë me shkollë të re, e cila i ka munguar në gjithë këto vite të arsimit shqip. Kryetari i Komunës, Burim Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse tha se ndërtimin e kësaj shkolle të re në Fushë-Kosovë e vlerësojmë si një ndër investimet kapitale më të qëlluara. Sipas z. Berisha Fushë-Kosova ka nevojë edhe për një shkollë për të përfunduar kompletimin e infrastrukturës dhe këtë do ta bëjmë gjithsesi në vitin e ardhshëm dhe së bashku me ministrin Buja do ta bëjmë prapë përurimin.

Duke e përuruar shkollën e mesme gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë, ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se në këtë 100-vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar, Fushë-Kosovës po i dhurojmë një shkollë të re, ndërsa Kosovës dhjetë shkolla të tilla, pesë në shtator dhe pesë të tjera deri në fund të vitit, ku do të edukohet e arsimohet brezi i ri. “Jam i bindur se ambientet e tilla joshëse janë një motiv më shumë për punë dhe mësim”, ka thënë Buja, duke nënvizuar se me kompletimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve tjera për mësimdhënie, do të ngrihet edhe më shumë cilësia në arsimin tonë.
Edhe z. Ukshin Uka, drejtor i Gjimnazit “Hivzi Sulemani”, tha se Fushë-Kosova ka pasur nevojë të kahershme për një shkollë si kjo. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i qeverisjes komunale dhe i njeriut të parë të Komunës së Fushë-Kosovës z.Burim Berisha dhe ministrit të Arsimit z.Ramë Buja.

“Objekti i ri shkollor në qytezën e Fushë-Kosovë, ku po përurohet sot, është tregues i përkushtimit të qeverisjes komunale për të investuar sa më shumë në arsim”  ka thënë z.Uka.

Pas përurimit të godinës së re shkollore Ansambli “ Zëri i Kosovës” shfaqi një program me valle të zgjedhura kurse nxënësit e shkollës recituan vargje.