Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

U mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

2018/06/29 - 3:11

Në fillim të këtij takimi Kryesuesi i KKSB-së z. Burim Berisha informoi anëtarët e Këshillit për zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Fushë-Kosovës. Duke  vlerësuar situatën e sigurisë si shumë të mirë dhe stabile, Kryesuesi Berisha tha se: ‘Fushë-Kosova po zhvillohet, pavarësisht se numri i qytetarëve që vijnë nga vise të ndryshme të Kosovës për të jetuar këtu është i madh, situata e sigurisë është e mirë.

Ndërsa, Komandantja e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë – Kapiten Vjollca Hoti në fjalën e saj e vlerësoi gjendjen e sigurisë në nivel të kënaqshëm duke potencuar: ‘se falë angazhimeve të institucioneve, por edhe të vigjilencës së qytetarëve, vazhdojmë të kemi një qytet të qetë dhe pa probleme të mëdha’.

Kapitenia Hoti përmendi edhe aktivitetet që policia ka zhvilluar nëpër shkolla duke ofruar ligjërata dhe komunikime të drejtpërdrejta. Vendosja e kamerave nëpër shkolla është njëri nga rezultatet e shumta që kemi, andaj kjo është edhe një ndihmesë dhe lehtësim edhe për ne’, tha në fund znj. Hoti.

Gjatë takimit u raportua edhe për përfundimin e vitit shkollor dhe për ambientin në Komunën e Fushë-Kosovës. Temë diskutimi ishte edhe problemi e qenve endacakë, ku si zakonisht gjatë diskutimit pati mendime dhe kërkesa që ky problem të trajtohet dhe të kërkohet zgjidhje edhe në nivel rajonal, apo edhe më gjerë.

Në fund të takimit Kryesuesi z. Burim Berisha falënderoi të pranishmit duke i informuar ata se takimet e KKSB-së do të jenë të rregullta dhe se problemet e identifikuara në këto takime do të adresohen në ekzekutiv dhe do të ofrohet zgjidhje.