Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

U mbajt Takimi i parë Publik me Qytetarë për këtë vit

2021/06/10 - 2:13

Konform Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në Sallën e Kuvendit Komunal në Fushë-Kosovë, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z.Fadil Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e parë publike me qytetarë për këtë vit. Në takim u diskutua për punën gjashtëmujore të ekzekutivit të Komunës së Fushë-Kosovës lidhur me të arriturat, sfidat dhe projektet për të ardhmen. Nënkryetari Krasniqi prezantoi tri çështje kryesore: një informatë të përgjithshme rreth aktiviteteve që janë ndërmarrë në parandalimin e pandemisë COVID-19, pastaj ka dhënë një raport gjashtëmujorë të punëve të kryera dhe atyre që janë duke u kryer në komunën tonë, si dhe për fund ka folur rreth Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2021-2023.

Nënkryetari Krasniqi fillimisht foli për menaxhimin e situatës pas shfaqjes së pandemisë COVID-19 duke treguar se në komunën tonë tani e kemi një gjendje shumë më të mirë të situatës dhe numrit të të infektuarve nga COVID-19. Me një fjalë ka qenë një mobilizim i përgjithshëm i qytetarëve që kanë ndihmuar lidhur me mospërhapjen e sëmundjes, mirëpo tash nuk duhet të qëndrojmë komod, por gjithnjë duhet pasur kujdes sepse ende ekziston rreziku për përhapjen e kësaj sëmundje të rrezikshme të shekullit 21, tha z. Krasniqi.

Në vazhdim nënkryetari Krasniqi foli rreth punëve gjashtëmujore që janë kryer dhe fazës së punimeve që janë duke u kryer. Ai tha se brenda këtij gjashtëmujori kemi pasur sfida për implementimin e projekteve me kohë, për shkak të pandemisë, mirëpo asnjë projekt deri më tash nuk ka dështuar dhe në muajt e ardhshëm do të kryhen projektet e planifikuara për vitin 2021.
Ndërkaq sa i përket planifikimit të buxhetit, ai tha se kemi filluar punën me grupet e interesit dhe kjo do të jetë një bazë e mirë për vitin tjetër lidhur me projektet infrastrukturës duke përfshirë rrugët, kanalizimet, trotuaret, sheshet, mirëmbajtjen e shkollave, pastaj projektet për zhvillim ekonomik, ambient e të tjera.

Në kuadër të këtij takimi pati edhe pyetje nga qytetarët, të cilat në fokus kishin të bënin rreth furnizimit me ujë të pijshëm, lirimit të hapësirave publike, çështja e mbeturinave dhe shumë pyetje të tjerat për të cilat z.Krasniqi dhe drejtorët e drejtorive përkatëse dhanë përgjigjet e tyre.