Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Vazhdojnë angazhimet për realizimin e projekteve

2018/06/08 - 3:58

Me një vlug dhe angazhim të madh këto ditë është duke u punuar në fusha të caktuara në gjithë komunën e Fushë-Kosovës.

Një ambient më i pastër, gjelbërimi i hapësirave publike, mbjellja e luleve dhe drurëve dekorues, pastrimi i varrezave, mbyllja e gropave dhe shtrimi me asfalt i pjesëve të dëmtuara, është vetëm një vazhdimësi e projekteve që vazhdojnë të realizohen në gjithë territorin e komunës së Fushë-Kosovës.

Planifikimet e mëhershme si dhe moti i përshtatshëm për punë, bënë që gjatë këtyre ditëve kudo ne qytet dhe në fshatra të shihet mobilizim dhe përkushtim për kryerjen e punëve në afatin e caktuar.

Pjesë e këtyre angazhimeve në komunën e Fushë-Kosovës ishte edhe shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit. Green Art Center (GAC) së bashku me nxënësit e klubeve të gjelbërta të shkollave fillore “Selman Riza” dhe “Mihal Grameno” zhvilluan një sërë aktivitetesh në këtë ditë, siç ishte pastrimi në shkollat e tyre dhe hapësirat e gjelbërta.

Gjithashtu u zhvilluan edhe aktivitete informuese dhe vetëdijësuese për qytetarët lidhur me çështje mjedisore, po ashtu edhe për rolin e tyre në përmirësimin e ambientit ku jetojnë.

Në kuadër të aktiviteteve informuese janë shpërndarë fletushka udhëzuese për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme duke i ftuar qytetarët që të kontribuojnë për një mjedis me më pak ndotje.