Republika e Kosoves

Fushë Kosovë

Zyrtarja e SHBA-së vizitoi Komunën e Fushë-Kosovës

2018/03/21 - 4:38

Kryetari i Komunës z. Burim Berisha, me bashkëpunëtorë, priti znj. Erin Sawyer Drejtore e INL-së për Evropë dhe Azi si dhe zyrtarë të lartë nga Ambasada e SHBA-ve përkatësisht ICITAP-i.

Kryetari Berisha informoi mysafiren për rrjedhat e përgjithshme në Komunën e Fushë-Kosovës me theks të veçantë për projektet e përbashkëta me USAID-in dhe ICITAP-in. Situata e sigurisë u përshkrua si shumë e mirë dhe pa probleme ndëretnike.

Znj. Erin Sawyer tha se ‘jam shumë e impresionuar me punën e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi dhe këtu rol të veçantë kanë vullnetarët, policia dhe komuniteti’. Zonja Sawyer më tutje shtoi ‘ICITAP ka qenë dhe është shembulli më i mirë i ndërtimit të klimës së mirëbesimit dhe tolerancës në Kosovë, e në këtë rast edhe në Fushë-Kosovë. Zyra ime në Uashington ka qenë e impresionuar me punën dhe të arriturat që po bëjnë EVSB-të e që po mbështeten nga Departamenti për Drejtësi i SHBA-ve nëpërmjet ICITAP-it’.

Në sallën e Kuvendit ku po mbahej një punëtori rreth projektit “Vrojtuesi i Lagjes” Sawyer, ju drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti dhe i inkurajoi ata për punë edhe më të mëdha në realizimin e projekteve që janë në të mirë për qytetarët si luftimi i krimit dhe të këqijat që i paraqiten shoqërisë.

Në përfundim të vizitës Kryetari Berisha dhe zonja Erin Sawyer në mënyrë simbolike vendosën shenjën e projektit që ka filluar së realizuari në Komunën e Fushë-Kosovës “Vrojtuesi i Lagjes”.