Republika e Kosoves

Gjakovë

POZITA DHE POPULLSIA

Pozita

Gjakova shtrihet midis gjerësisë gjeografike 42,22 dhe gjatësisë gjeografike 20,26. në bregun e majtë të lumit të Erenikut, në lindje të pllajës së Çabratit, në të dy anët e lumit Krena, në një lartësi mbidetare mesatare prej 365 metrash.

Në jugperëndim të Gjakovës shtrihen rrëzët e fundit të maleve të Sharit, ku shtrihet krahina kodrinore e Hasit, e cila përfundon me rrafshinën aluviale (lumore) të Erenikut.

Në veri të qytetit shtrihen fushat neogjene të Piskotës dhe të Dushkajës. Sukat e Koznikut, të  Cërmjanit, të Baballoqit dhe të Hereçit e ndajnë fushëgropën e Gjakovës nga Rrafshi i Dukagjinit.

Në perëndim të Çabratit, që ka një lartësi mbidetare prej 440-460 metrash, shtrihen malet e Junikut dhe të Shkëlzenit-pjesë të Bjeshkëve të Nemuna (Alpeve Shqiptare).

Në lindje të Gjakovës, aty ku derdhet Ereniku në Grykën e Drinit të Bardhë shtrihet pllaja gëlqerore e Gradishës, e cila e ndanë fushëgropën e Gjakovës prej asaj të Prizrenit.

Malet e ulëta me qafa siç janë  Qafa e Prushit, ajo e Dobrunës, ajo e Morinës etj., kanë mundësuar ndikimin e  erërave të Detit Adriatik nëpër luginën e Drinit. Prandaj Gjakova me rrethinë ka klimë të mesme kontinentale me elemente të asaj mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë.

Temperatura mesatare e muajit korrik është 21,5 C, ndërsa e janarit -09 C. Muajt e verës janë të thatë, ndërsa të dimrit me lagështi. Mesatarja e reshjeve atmosferike është 959,3 mm.

Fushëgropën e Gjakovës e përshkojnë 80 rrjedhje të ujërave sipërfaqësorë që burojnë në veri nga vargu malor i Cërmjanit dhe nga kurorat malore në jug të qytetit. Të 80 përrojet derdhen në Erenik, i cili, me degët e tij, e ujiste fushën pjellore të Gjakovës. Ai buron nga liqenet akullnajorë të Gjeravicës dhe derdhet në Dri. Është i gjatë 51 km. Prej degëve të tij të majta është Bistrica e Lloqanit, që buron prej lartësisë Plloça në perëndim të Gjaravicës dhe, duke e ndarë Gjakovën me emrin Krena në dy pjesë, derdhet në Erenik. Trava dhe Trakaniqi janë dy lumenj tipikë fushorë që derdhen në Erenik.

Popullsia

Popullsia e Gjakovës që nga fillimi në masë të madhe ishte shqiptare pasardhës të ilirëve, ndërsa një pakicë ishte serbe e, më vonë, pas kolonizimit, edhe malazeze. Për kah feja shumica dërmuese ishin myslimanë e katolikë (shqiptarët), ndërsa pakica ortodoksë (serbët e malazezët).

Në mungesë të të dhënave të sakta statistikore për numrin e popullsisë së qytetit dhe të rretinës deri në gjysmën e dytë të shek. XIX, do të përmendim të dhënat e udhëpërshkruesëve të ndryshëm, sipas të cilave qyteti në shek. XVII i kishte 2000 shtëpi, ndërsa më 1838 i kishte 1900 shtëpi me 21.000 banorë. Më 1857 Gilferdingu e quante Gjakovën qytet shqiptar me 3500 shtëpi shqiptare myslimane, me 70 katolike dhe me 60 shtëpi serbe. Më 1879 qyteti me rrethinë i kishte 15.210 banorë, 12.553 myslimanë dhe 2.757 të krishterë. Më 1900 sipas Millojeviqit Gjakova kishte 4000 shtëpi myslimane dhe mbi 70 serbe.

Në qytetin e Gjakovës me rrethinë, që përfshinte 708 km2, më 1921 jetonin 32.847 banorë (30.798 shqiptarë myslimanë e katolikë dhe 2.049  serbë e malazezë ortodoksë); më 1931 jetonin 45.376 banorë (38982 shqiptarë myslimanë e katolikë dhe 6394 serbë e malazezë ortodoksë) që do të thotw se më 1921 ishin 93,76 përqind shqiptarë, kurse 6,24 përqint serbë, ndërsa më 1931 85,91 përqind ishin shqiptarë, ndërsa 14,09 përqind ishin serbë e malazezë.

Bazuar ne rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë së Kosovës në vitin 2011, numri i përgjithshëm i banorëve të komunës së Gjakovës është 94,556 banorë, dhe atë sipas kësaj strukture etnike:

Shqiptarë: 87,672 banorë;

Egjiptian: 5,117;

Rome: 738;

Ashkali: 613;

Boshnjak: 73;

Serb: 17;

Turqi: 16;

Goran: 13;

Te tjerë: 92;

Te papërcaktuar: 205 (Burimi: Enti i statistikave të Kosovës).