Republika e Kosoves

Gjakovë

Mbahet Debati i dytë Publik

2018/12/14 - 2:44

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, bashkë më kryesuesin e Kuvendit Komunal Anton Shala dhe drejtorët e drejtorive komunale, sot kanë mbajtur debatin publik me qytetarë, të dytin për vitin 2018.
Në fjalën e tij para qytetarëve, kryetari Gjini ka thënë se gjatë vitit 2018 qeverisja lokale ka arritur të realizojë të gjitha projektet që kanë qenë të planifikuara dhe kjo falë menaxhimit të mirë të buxhetit komunal si dhe ndihmës së qeverisë së Kosovës. Sipas tij, për vitin 2019 janë planifikuar edhe shumë projekte e për të cilat shprehu bindjen se do të realizohen në tërësi, duke pasur parasysh edhe rritjen e buxhetit komunal dhe gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të investuar në komunën e Gjakovës.
Kryetari Gjini ka përmendur disa prej projekteve madhore të nisura në Gjakovë, përfshirë këtu qarkoren e qytetit, impiantin e ujërave të zeza, rregullimin e shtratit të lumit “Krena” e të tjera.
Në këtë takim kanë folur edhe qytetarë e pranishëm, të cilët kanë prezantuar kërkesat dhe hallet e tyre e të cilat kryesisht kishin të bënin me problem infrastrukturore. Lidhur me këtë çështje, kryetari Gjini ka thënë se qeverisja lokale po planifikon që deri në vitin 2021 më shumë se 95 për qind e rrugëve dhe rrugicave në qytet dhe në fshatrat e Gjakovës të jenë të asfaltuara.